Bije zilja për institucionet e Kosovës

Dita Ndërkombëtare e Personave të Pagjetur edhe këtë vit e gjen Kosovën pa zbardhjen fatit për 1 mijë e 709 persona të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Lajme

30/08/2014 15:26

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Personave të Pagjetur. Edhe ky vit Kosovën e gjenë me afro 2 mijë persona të zhdukur gjatë luftës së fundit.

Për të shënuar këtë ditë dhe për të bërë presion mbi institucionet e Kosovës për këtë çështje po organizohen aktivitete të ndryshme.

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Prishtinë ka organizuar një aktivitet i cili ka simbolikat e vet. Edona Tolaj nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut tha se simbolika e pikëpyetjes paraqet pyetjet e shumë familjarëve të personave të pagjetur.

Ndërsa, ora e vendosura në formë pikëpyetje janë të kurdisura me alarme, në mënyrë që organet përgjegjëse të japin një përgjigje për këtë persona.

“Siç mund të shihini edhe vet nga simbolika, pikëpyetja paraqet pyetjet që shumë prej neve edhe vet familjarët e personave të pagjetur kanë tash e sa kohë. Çfarë po ndodh me fatin e këtyre personave, ku janë këta persona dhe ku mund të gjenden, ku mund të kemi një të vërtetë lidhur me këta persona. Kësaj radhe kemi vendosur që të vendosim ora dhe të bëhen në formë të pikëpyetjes dhe i kemi kurdisur që të bëjnë të gjitha përnjëherë në ora 12:00, në mënyrë që në fund akterët përgjegjës për fatin e personave të pagjetur të zgjohen nga gjumi dhe të kenë më në fund një përgjigje për të gjithë ne që duam te dimë për fatin e këtyre personave”, ka thënë ajo.

Aktivistja e Organizatës Joqeveritare “Nisma ime”, Agnesa Maloku, tha për KosovaPress, se numri i personave të pagjetur arrin në 1 mijë e 709 persona. Kurse, me këtë aktivitet ajo ka thënë se kanë vendosur që të pyesin organet kompetente se çka ka ndodhur dhe se ku gjenden këtë persona të zhdukur.

“30 gusht pra e dimë që është Dita Ndërkombëtare për Personat e Pagjetur dhe ne me këtë rast kemi ndërmarrë një aksion, ku pikëpyetja pra tregon dhe është simbolikë se çka ka ndodhur me personat e pagjetur ndërsa numri 1709, i cili të gjithë e dimë që nuk ka lëvizur në dekadën e fundit. Dhe për këtë arsye ne kemi marrë këtë hap për të pyetur qeverinë dhe organet kompetente, të cilat duhet të zbardhin çështjen e këtyre personave të pagjetur”, ka thënë ajo.

Ndryshe, aktiviteti i organizuar nga organizata joqeveritare “Nisma ime”, ka zgjatur vetëm 10 minuta, për arsye se ora kanë qenë të kurdisura që vetëm 5 minuta të bëjë alarmi, në mënyrë simbolike që t’i zgjojnë nga gjumi organet kompetente dhe të merren hapa për këta persona të pagjetur.