Bie tregtia me pakicë e produkteve ushqimore

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Statistikat e Tregtisë me Pakicë për tremujorin e katërt të vitit që shkoi, ku thuhet se, ka pasur rritje të tregtisë më pakicë, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2015, por jo për tregtinë me pakicë e produkteve ushqimore, pijeve dhe duhanit prej 9.4%.

Lajme

03/04/2016 09:18

 

Sipas ASK-së, rritja është vërejtur te tregtia me pakicë e pajisjeve informatike dhe të komunikimit, në dyqane të specializuara, me 51.7%; tregtia me pakicë e mallrave të tjerë në dyqane të specializuara, me 12.5%; tregtia me pakicë e pajisjeve të tjera shtëpiake, në dyqane të specializuara, me 1.6%; tregtia me pakicë e mallrave kulturore dhe të argëtimit, në dyqane të specializuara, me 1.6%.

“Kurse, ka pasur rënie te: Tregtia me pakicë jo në dyqane, tezga ose tregje (24.4%); Tregtia me pakicë e karburantit për automjete, në dyqane të specializuar, (10.7%); Tregtia me pakicë e produkteve ushqimore, pijeve dhe duhanit, në dyqane të specializuara (9.4%); dhe Tregtia me pakicë në dyqane jo të specializuara (0.3%). Ndërkaq, krahasuar tremujorin e katërt (TM4) 2015 me tremujorin e katërt (TM4) 2014, kanë shënuar rritje: Tregtia me pakicë e mallrave të tjera në dyqane të specializuara (43. 2%); Tregtia me pakicë e pajisjeve informatike dhe të komunikimit, në dyqane të specializuara (22.8%); Tregtia me pakicë e mallrave kulturore dhe të argëtimit, në dyqane të specializuara (15.4%); Tregtia me pakicë e pajisjeve të tjera shtëpiake në dyqane të specializuara (6.3%);dhe Tregtia me pakicë në dyqane jo të specializuara (4.8%):, thuhet në komunikatën e ASK-së.

Kurse, kanë pasur rënie: Tregtia me pakicë e prodhimeve ushqimore, pijeve dhe duhanit, në dyqane të specializuara (12.6%); Tregtia me pakicë e karburantit për automjete, në dyqane të specializuar (6.5%); dhe Tregtia me pakicë jo në dyqane, tezga ose tregje (3.0%).