Bie perceptimi i publikut për korrupsion në Doganë

Perceptimi i publikut për korrupsion në doganat e Kosovës ka rënë ndjeshëm. Ndërsa, janë duke u bërë përpjekje të përqendruara për t’i eliminuar të gjitha mundësitë për korrupsion. Kurse, shpesh herë korrupsioni është mundësi kryesore që të ushqehet krimi. Kështu u tha sot në punëtorinë mbi etikën qeverisëse për Doganën e Kosovës, të organizuar nga Departamenti Amerikan për Tregti.

Lajme

22/02/2017 10:51

Drejtori I Doganës së Kosovës, Bahri Berisha deklaroi se sjellja jo etike dhe korrupsioni shpesh herë neglizhohen. Ai iu drejtua punonjësve të doganës duke u thënë se shpreson se nga kjo punëtori do të shkëmbejnë përvoja të mira, raporton Ekonomia Online.

“Ne shpresojmë që ambasada do të vazhdojë me përkrahje pasi dogana do ti nënshtrohet një kontrolle. Këta janë  një nga partnerët tonë strategjikë në ndërtimin e doganave dhe shoqërisë tonë. Një etikë profesionale është  vlerë për shoqërinë kosovare”, ka deklaruar Berisha.

Ndërsa, e ngarkuara me punë në ambasadën e ShBA-së, në Prishtinë Colleen Hyland, theksoi se gjatë viteve të fundit ambasada ka punuar ngushtë me doganat në përmirësimin e performancës, rritjen e transparencës dhe zvogëlimin e korrupsionit . Ajo ka thënë se janë jashtëzakonisht të kënaqur me nismat e Doganës duke përmendur vendosjen e kamerave të brendshme si dhe përpjekjet për t’i eliminuar mundësitë për korrupsion.

“Këto përpjekje kanë filluar të shpaguhen . Të hyrat në vitin 2015 dhe 2016 i kanë kaluar parashikimet. Perceptimi i publikut për korrupsion në dogana ka rënë ndjeshëm pasi që mendimi i opinionit publik për dogana se doganat ishin një ndër organizatat më të korruptuara tani ka ndryshuar dhe tani ato shihen si më së paku të korruptuara . Në tetor të vitit 2016 Raporti i Pulsit të opinionit publik  i hartuar nga USAID-i, dhe UNDP-ja, thotë se 5 për qind e respodentëve kishin raportuar se kishin kërkuar të paguanin ryshfet gjatë 12 muajve të fundit, kemi rastin që atë shifër ta ulim në zero”, ka thënë ajo.

Kurse, zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, ka prezantuar një raport të bërë nga UNDP-ja, në të cilin është bërë matja e korrupsionit në Doganën e Kosovës me 200 të anketuar ku janë përfshirë 100 kompani, duke thënë se kënaqshmëria me punën e Doganës është e madhe.

“Në vitin 2016 për herë të parë kemi kaluar një miliardë euro të hyra për buxhetin e Kosovës që besoj se është një prej kontributeve më të mëdha që i kemi dhënë edhe për vendin tonë. Në bazë të të arriturave Dogana gjithmonë ka performuar mirë dhe ka qenë një aset i vlefshëm edhe për Qeverinë e Kosovë, gjithmonë të kenë një mbështetje të mirë në mbledhjen e të hyrave . Gjithmonë kemi arritur ta tejkalojmë projeksionin”, deklaroi Stavileci.

Punëtoria mbi etikën qeverisëse për Doganën e Kosovës që ka filluar sot do të vazhdojë edhe nesër.