Bie niveli i kontrabandës në veri, por edhe të hyrat për 1 milion euro

Ka rënë niveli i kontrabandës apo i tentim kontrabandimit në veri të vendit. Përderisa viteve të kaluar numri i rasteve të zbuluara për kontrabandim ka arritur deri në 500 raste, për gjashtë muajt e këtij vit numri i rasteve është 40, raporton Ekonomia Online.

Lajme

03/09/2017 12:14

Përveç numrit të rasteve të kontrabandimit edhe të hyrat në pikat kufitare Jarinë e Bërnajk janë ulur për 1 milion euro. Përderisa vitin e kaluar të hyrat shënonin shifrën prej mbi 3 milionë euro, deri në këtë periudhë të vitit Dogana ka inkasuar rreth 2 milionë euro.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatk Stavileci, ka thënë ulja e rasteve të kontrabandës është një tregues i mirë që rastet e tentim kontrabandimit kanë pësuar rënie.

“Këtë vit dhe vitin e kaluar ka pasur më se paku raste të kontrabandimit. Është fakt që ka pasur periudha kohor kur kundërvajtjet e zbuluara nga ana e oficerëve doganor brenda një viti në atë pjesë kanë kaluar numrin prej 400 ose 500 por këto dy vitet e fundit kemi vërejtur një ulje të këtyre. Prej janarit 2017 kemi pasur më shumë se 40 raste që kemi kapur mallrat gjatë tentim kontrabandimit”, tha ai.

Uljen e të hyrave për 1 milion euro po e justifikon Stavileci në një intervistë për Ekonomia Online.

“…të hyrat që mblidhen nga Jarina dhe Bërnjaku mesatarja vjetore është nga 2.5 milionë deri në 3 milionë euro. Gjatë këtij viti ne kemi mbledhur rreth 2 milionë euro që në krahasim me vitin e kaluar është pak më e ulët, por në aspektin e përgjithshëm kemi rritje të qarkullimit të mallrave. Të gjitha ato maune të gjitha ato cisterna që futen për zhdoganim kalojnë transit nëpër këto dy pika dhe pastaj përfundojnë në terminale doganore në pjesë të ndryshme të Kosovës”, tha ai.

Stavileci në një interviste për Ekonomia Online ka thënë se rastet e kontrabandës kanë ndodhur si pasoj e problemeve politike në atë pjesë dhe si rezultat i mosbindjes së qytetarëve të asaj pjese ndaj pjesës kosovare.

Por ai shprehet i bindur se këto dy pika doganore funksionojnë si pikat tjera në gjithë vendin

“Nuk mund të mohojmë që nuk ka pasur kontrabandë, por kontrabandimi nuk ka ardhur si rezultat i mospunës së Doganës, por ka ardhur si rezultat i mosbindjes së qytetarëve që e ka pasur ajo pjesë ndaj pjesë së Kosovës”, tha ai.

“…mund të ju them me siguri të plotë se në dy pikat në veri Jarinë dhe Bërnjak, Dogana funksionon si në të gjitha pikat e tjera, gjithsesi edhe përkundër problemeve politike që ka në atë pjesë dhe problemeve të ndryshme prapë se prapë kemi arritur të stabilizojmë situatën, tanimë nuk mund të ketë dallim në zhdoganimin e mallrave i cili bëhet në Vermicë, Han të Elezit apo në Jarinjë ose Bërnjak”.

Por sipas zëdhënësit të Doganës, është rritur vlera e eksporteve të prodhimeve vendore përkatësisht në 8 mujorin e parë të këtij viti vlera e mallrave të eksportuara nga Kosova drejt vendeve të Bashkimit Evropian (BE) ka arritur në 250 milionë euro.