Bie kontrabanda në veri të Kosovës

Ka rënë kontrabanda në pikëkalimet kufitare në Jarnjë dhe Bërnjak. Vetëm më muajin janar dhe shkurt, nga këto pikëkalime kufitare janë mbledhur të hyra doganore që kalojnë shumën e 500 mijë eurove.

Lajme

17/03/2014 09:31

Ka rënë kontrabanda në pikëkalimet kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak krahasuar me dy muajt e parë e vitit të kaluar. Të hyrat doganore vetëm për dy muajt e parë të këtij, janë mbi 500 mijë euro.

Këtë gjë e ka konfirmuar zëdhënësi i Doganës së Kosovës (DK), Adriatik Stavileci.

“Këtë më së miri e tregon rritja e të hyrave doganore në shumën prej 23-përqindësh më shumë sesa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”, ka thënë Stavileci për “Epokën e re”.

Kurse kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka thënë se ky lajm është i mirë sepse ky vit ka pasur të hyra mbi 20 përqind më shumë se vitin e kaluar, që është indikatorë se në Jarinjë dhe Bërnjak ka filluar të funksionoj ligji.

“Kjo na gëzon për arsye se tashmë Dogana dhe Policia e Kosovës janë në pikat kufitare të veriut të Kosovës dhe vetë fakti që në këtë vit kemi të hyra mbi 20 për qind më shumë se vitin e kaluar tregon se ka filluar të funksionojnë rendi dhe ligji atje”.

Edhe  profesori i Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Nagip Skënderi, i cili ka deklaruar se rritja e të  hyrave në vendkalimet doganore në veri, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, dëshmon se rendi dhe ligji në Doganën e Kosovës kanë filluar të funksionojnë.

“Një pjesë e rezultatit të këtyre të hyrave është edhe fakti se ka filluar të funksionalizohet dhe zbatohet marrëveshja për IBM. Gjithashtu, kemi vetëdijesim të qytetarëve dhe të bizneseve që janë të gatshme të bashkëpunojnë me institucionet tona shtetërore për luftimin e kontrabandës, korrupsionit dhe dukurive të tjera negative që shfaqen në pikat doganore të vendit”.

Ndërkaq zyrtarë policor në përgjigjen e tyre për “Epoka e re”, kanë thënë se personat që janë kapur duke kontrabanduar janë proceduar në gjykatë.

“Në të gjitha rastet Policia e Kosovës ka iniciuar lëndë konform ligjeve të aplikueshme në vend dhe i kanë proceduar në gjykatë. Vazhdimisht rastet e tilla janë hetuar në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe nën autorizimin e prokurorëve përkatës”, është thënë në përgjigjen e Zyrës për Informim të Policisë së Kosovës, raporton “Epoka e Re”.