Bie importi, Dogana s’mund të inkasoj 962 milionë euro të projektuara

Dogana vështirë të mund të arrij t’i realizojë 962 milionë euro të hyrat e projektuara në buxhetin e këtij viti. Bazuar në të dhënat e fundit të doganave del se ka rritje të vlerës së mallrave por ka rënie të sasisë së mallrave dhe kjo do të mund të ketë ndikim edhe në buxhetin final të të hyrave.

Lajme

20/04/2015 11:22

Pavarësisht trendit të rënies të importeve, importi i mallrave serbe vazhdon me rritje. Për tre muaj e parë të këtij viti nga Serbia janë importuar 77.9 milionë euro, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar që ishte 72.3 milionë euro.

Lulzim Rafuna, drejtor i doganave të Kosovës, ka thënë për KosovaPress se në të gjitha produkteve e importuara ka rënie të sasisë që importohet.

“Në të gjitha produkteve ka rënie të sasisë së produktit me përjashtim të disa vajrave të cilat ato janë stabile në produkte tjera ka rënie të sasisë, një rënie e lehtë, jo të theksuar, mirëpo në total është 15 për qind. Po projeksionet të cilat kanë qenë të projektuara në tetor të vitit të kaluar kanë qenë 962 milionë euro, mirëpo në ndërkohë kemi një ndryshim të politikave fiskal edhe tani jemi në konsultim me ministrinë për të paraparë se sa do të jetë projeksioni final në fund të vitit”, ka thënë Rafuna.

Ai po ashtu ka thënë se gjatë muajve të parë ka pasur rënie të të hyrave sidomos tek mallrat bazike. Sipas tij, arsyet janë të ndryshme duke përfshirë edhe migrimin që ka ndikuar.

“Vazhdon rënia e importit të sasisë së mallit, sidomos për produktet që janë bazike të cilat marrin pjesë në të hyrat në buxhetin në vendin. …Janë shumë faktor sidomos koha periudha që ishte dimër, gjithmonë në doganë muaji janar-shkurt dhe pjesa e parë e marsit janë muajt më të dobët me parashikimet janë parashikimet më të ulëta për gjatë tërë vitit, ndërsa ka ndikuar po siç edhe kemi thënë edhe më herët në investimet e huaja kanë ndikuar, migrimi pa dyshim në rënien e konsumit sepse në momentin që bie konsumi bie edhe importi”, ka thënë Rafuna.

Ai thotë se faktor tjetër që do të ndikojë në rënien e të hyrave është edhe ndryshimet fiskale. Ndërsa për eksportet, ai ka thënë se vazhdojnë të jenë në gjendje të njëjtë sikur vitet paraprakë, pa ndonjë lëvizje.

Në ndërkohë, Blerim Grainca, anëtarë i komisionit parlamentar për zhvillim ekonomik, tha për KosovaPress se derisa nuk ka rritje të kapaciteteve prodhuese do të përballemi me deficit të lart tregtar.

“Derisa nuk ka mundësi që të rriten kapacitetet prodhuese, ju e dini se ne po punojmë në iniciativën private, rritjen e sektorit privat me qëllim që të rritet mundësia që Kosova ka në fushat e prodhimit, veçanërisht në ato që lidhen me agro-bizneset dhe fushat tjera në mënyrë që të eliminohet apo të luftohet debalanci tregtar që kemi në raport me vendet tjera. Ju e dini ne jemi vend konsumues, konsumojmë shumë, kemi 1.5 miliard deficitin tregtar dhe kjo mund të arrihet vetëm duke pasur politika të mirëfillta zhvillimore që e stimulojnë prodhuesin vendor dhe e mbrojnë nga ndikimet nga jashtë”, tha Grainca.

Po ashtu, edhe Besim Beqaj, anëtar i komisionit për zhvillim ekonomik, ka thënë për KosovaPress se Kosova duhet të shkon në drejtim të forcimit të kapaciteteve prodhuese.

“Nëse flasim për bilancin tregtar, besoj që Kosova duhet të shkon në drejtim të forcimit të kapaciteteve prodhuese, janë bërë shumë hapa paraprak të cilët do të mundësonin një veprim të tillë…Pra, duhet të forcohet kapaciteti prodhues dhe atëherë mund të flasim për një tendencë të rritjes së bilancit tregtar. Sidoqoftë bilanci tregtar nga viti në vit është përmirësuar por jo në nivelin të cilin neve presim dhe në të cilin është i nevojshëm për të krijuar edhe vende të reja të punës në vendin tonë”, ka thënë Beqaj.

Beqaj po ashtu ka thënë se i mirëpret vendimet e qeverisë për ndryshimin e politikave fiskale.

“Lidhur me politikat fiskale unë kam thënë edhe javën e kaluar në Kuvend unë i mirëpres ato, janë veprime të cilat do të ndihmojnë por kam thënë që nuk duhet të fokusohemi vetëm në çështjet e politikave sociale sepse është ma shumë vendime të cilat kanë karakter social sesa karakter zhvillimor”, ka thënë Beqaj.

Të dhënat e ASK-së tregojnë se lidhur me eksportin dhe importin e Kosovës, partner kryesor tregtar janë vendet e BE-së, të cilat marrin pjesë me 40.6% për eksport dhe 41.5% për import, ndërsa vendet e CEFTA-s marrin pjesë me 28.5% për eksport dhe 31.8% për import. Përqindja më e madhe e eksportit ishte në Indi me (18.7%), Itali (12.6%),Shqipëri (12.4%), Belgjikë (8.9%), Maqedoni (8.6%),Serbia (3.2%), Mali i zi(2.8) etj.