Biden nuk do të lë shenjë

Është mashtrim të besohet, ndër ne, që fjalët dhe porositë e Zëvëndës-Presidentit Joseph Biden, do të ndryshojnë drejtimin e gabuar që ka marrë politika kosovare.

Lajme

18/08/2016 09:23

E kemi ditë çka do të na thotë para se të vi fare në Prishtinë. E dimë çka na tha tash, kur foli vet. Megjithatë, vazhdojmë me të vjetrën. Duke mos ditë çka do të bëjmë tash e tutje: Si vend, si politikë, si shoqëri.

Është mashtrim të besohet, ndër ne, në këtë Kosovën e kësaj vere, që fjalët dhe porositë e Zëvëndës-Presidentit të SHBA-së, Joseph Biden, do të ndryshojnë drejtimin e gabuar që ka marrë politika kosovare. Edhe pse ai foli shumë qartë për të gjitha çështjet që janë në ‘menunë’ e rëndomtë, të çdoditshme të politikës kosovare, ne, si zakonisht kohëve të fundit, aplikuam qasjen e ‘Tavolinës suedeze’. Secili pra, morëm nga këshillat dhe sygjerimet e Bidenit atë që na pëlqeu, duke lënë prapa atë që duhet bërë si shtet dhe si vend, për të dëshmuar që shteti i Kosovës është i qëndrueshëm.

Natyrisht, mbase të gjithë ne (disa edhe për shkak që e dinë që mund të fundosen në zgjedhje a në votime nëse nuk përkrahin publikisht këtë qëndrim), e mirëpresim miqësinë dhe partneritetin me Amerikën, e cila sërish u konfirmua nga Biden, një mik i madh i Kosovës dhe i shqiptarëve.

Natyrisht, edhe ata që mëdyshin thuaja gjithçka që ka të bëjë me shtetin e Kosovës, e kanë vështirë të mohojnë rolin vendimtar që SHBA ka pasë në çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.

Por tej këtyre dy momenteve që përkojnë me historinë e re të Kosovës dhe me marrëdhëniet e njohura të SHBA-së me Kosovën, gjithçka tjetër që u adresua në fjalën e Zëvëndës-Presidentit amerikan, është çështje për debat dhe për diskutim ndër ne.

Biden na tregoi, midis tjerash, që si politikë, dhe ai njeh një politikë në Kosovë  (pa marrë parayshë se si jemi të organizuar, në qeveri dhe në opozitë), kemi detyrime ndaj vetes, ndaj qytetarëve të këtij shteti, por poashtu, kemi edhe obligime që kanë të bëjnë më marrëdhëniet me shtetet fqinje, si dhe me sigurinë dhe stabilitetin në rajon, dhe më gjërë, në Evropë.

Të qenit i përgjegjshëm ndaj vetes dhe ndaj të tjerëve, zatën, është themel i një shteti stabil.

Këtë pjesë të porosisë së Bidenit ne ose nuk do ta përfillim fare, ose do ta interpretojmë sipas kritereve tona ‘vendore’, të cilat kthejnë mbrapshtë edhe gjërat që janë tej mase të qarta për të gjithë.

Duhet thënë fare hapur që ndikimi i SHBA-së në Kosovë, është në rënie e sipër, për shkak se çorodia politike autentike kosovare, tash e sa kohë njeh vetëm drejtimin e ngritjes së vazhdueshme. Ky natyrisht, nuk është farë lajmi i ri në vend. Dhe gjithsesi, ky është një lajm i keq për të gjithë qytetarët e Kosovës. Për më shumë, nuk ka shenja që mesazhet edhe të këtij formati, të një Zëvëndës-Presidenti amerikan, do të kenë një efekt të këndelljes, qoftë edhe të përkohshme, të politikës kosovare.

Në anën tjetër, nuk duhet shumë mend për të kuptuar që rrethanat në rajon, në fqinjësinë e Kosovës, sa vijnë e ndërlikohen, me tendenca të kërcënimit të një stabiliteti edhe ashtu të brishtë. Sa për situatën në Bashkimin Evropian, nuk ka çka të flitet fare. BE kurrë nuk ka qenë më e sfiduar si Projekti politik më i rëndësishëm në historinë e Evropës.

Pra, bashkarisht mund të mbërrijmë me pak hapa tek konkludimi që rrethanat vendore dhe ato ndërkombëtare, kurrë nuk kanë qenë më të komplikuara, më problematike, më të rrezikshme sesa tash. Dhe si asnjëherë më parë, nuk ka pasë më pak vullnet në Bruksel me u marrë me Kosovën, dhe poashtu, si anjëherë në të kaluarën, në vitet prej se Kosova është bë shtet i pavarur, nuk ka pasë më pak gatishmëri ndër ne të mirremi me adresimin dhe zgjidhjen e problemeve kryesore të cilat rrezikojnë qëndrueshmërinë e shtetit të Kosovës.

Politika në një vend demokratik, ka si detyrë të veten kryesore të zgjidhë problemet e një shteti dhe të qytetarëve të saj. Suksesi dhe dështimi i një politike matet pikërisht me aftësinë për adresimin dhe zgjidhjen e këtyre problemeve.

Ne kemi arritë, si politikë, ta problematizojmë vetë ekzistencën e shtetit të Kosovës  (dikush qëllimshëm, e dikush pa dashje, gjë që nuk ka fort rëndësi), dhe kemi kthyer politikën kosovare në problemin më të madh të Kosovës.