Betim me shkrim

Dega e PDK’së në Skenderaj thotë se Sami Lushtaku mund ta bëjë betimin me shkrim dhe nuk ka arsye që Skenderaj të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Sipas saj, Lushtaku është i gatshëm në çdo kohë ta nënshkruajë deklaratën e betimit.

Lajme

24/11/2013 20:30

Kryesia e Degës së PDK’së në Skenderaj ka reaguar pas vendimit të Trupit Gjykues për vazhdimin e paraburgimit kundër Sami Lushtakut dhe të tjerëve në këtë proces, duke e konsideruar ngritjen e aktakuzës nga prokurori dhe vazhdimin e paraburgimit si një “vendim politik.”

Dega e PDK’së, në një kominkatë për media, ka rikujtuar se Lushtaku në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit është zgjedhur nga mbi 88 për qind e qytetarëve të Skenderajt dhe sipas saj nuk ka arsye për zgjedhje të jashtëzakonshme, pasi që Lushtaku mund të nënshkruajë deklaratën e betimit.

“Informojmë opinionin publik se tendenca e një pjese të këtij opinioni që Skenderaj do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe se Lushtaku nuk do të mund ta bëjë betimin, nuk qëndrojnë, pasi sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale betimi jepet në mënyrë solemne ose me deklaratë të shkruar dhe nënshkruar nga i zgjedhuri.”

“Kryetari Lushtaku është i gatshëm në çdo kohë të nënshkruajë deklaratën e betimit”, thuhet në komunikatën për media të Degës së PDK’së në Skenderaj.

Tema e mundësisë së zgjedhjeve të jashtëzakonshme ka rrjedhur pasi që Trupi Gjykues i EULEX’it i ka vazhduar paraburgimin të akuzuarve të “Grupit të Drenicës”, në mesin e të cilëve është edhe Sami Lushtaku, ish Komandant i Zonës Operative të Drenicës të UÇK’së.

Sipas Ligjit, nëse Kryetari i Komunës nuk konstituohet në detyrë brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve, atëherë Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal është e obliguar ta njoftojë Presidenten e Kosovës me gjendjen në Komunën përkatëse. Pasi ta vlerësojë situatën, Presidentja mund të shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kryetar në atë Komunë.

Rezultatet e zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit, në të cilat Sami Lushtaku ka fituar mandatin tjetër në krye të Skënderajt, janë certifikuar të hënën, më 18 nëntor, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Kjo i bie që duhet të pritet mesi i dhjetorit për ta parë nëse Lushtaku do të jetë në gjendje ta bëjë betimin si Kryetar Komune për mandatin e ardhshëm katërvjeçar.