Betejë e ashpër ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes për Kosovën në UNESCO

Një luftë e vërtetë diplomatike prapa skenave dhe larg publikut është duke u zhvilluar dhe po vazhdon ende në selinë e UNESCO-s, në kryeqytetin e Francës, midis diplomatëve të fuqive perëndimore e kolegëve/aleatëve të tyre nga Shqipëria dhe Maqedonia, kundër përpjekjeve të Serbisë – të ndihmuar nga aleati i saj Rusia lidhur me kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Organizatën e OKB-së për Edukim, Shkencë dhe Kulturë.

Lajme

08/11/2015 19:18

Kosova po synon që të bëhet pjesë e saj, por Serbia e ndihmuar nga Rusia dhe shtetet të cilat dikur kishin lidhje të forta me ish-Jugosllavinë përmes Organizatës të të Painkuadruarve deri në shkatërrimin e kësaj federate – e ka vënë në dispozicion të gjithë arsenalin e saj politik dhe diplomatik për të penguar anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

111 shtete e kanë pranuar deri më tash pavarësinë e Kosovës, por Serbia po zhvillon betejë të rreptë kundër dhe po ndihmohet shumë nga aleati i saj i vjetër me të drejtë vetoje në Nju-Jork, Rusia e Vladimir Putinit.

Në shtator ndodhi lëvizja e parë për Kosovën drejt UNESCO-s dhe u vazhdua me rezolutën e miratuar e të nisur nga Shqipëria në Tetor nga organet e organizatës, me çka kërkesa e Kosovës u dërgua në Konferencën e Përgjithshme të agjencisë së OKB-së e cila po zhvillohet nga 3 deri me 18 Nëntor.

Burimet perëndimore të BE-së nga UNESCO-ja thonë për Dtt-net.com, se që nga kërkesa e parë zyrtare e bërë nga qeveria e Shqipërisë për Kosovën, diplomatja shqiptare Besiana Kadare (e bija e shkrimtarit Ismail Kadare) dhe ambasadori shqiptar nga Maqedonia Agron Buxhaku, kanë luftuar pa ndërprerje kundër argumenteve dhe përpjekjeve të Serbisë dhe të Rusisë për të dëmtuar gjasat e Kosovës për anëtarësim.

“Që të dy (Kadare dhe Buxhaku) kanë qenë dhe janë aq shumë aktiv që nga fillimi i tetorit sikur që të ishin nga vetë Kosova”, tha për Dtt-net.com një burim i një vendi anëtar të BE-së, pranë UNESCO-s.

Përkundër shpalljes së pavarësisë dhe shtetit të tyre të ri, shqiptarët nga Kosova, ashtu sikur edhe ata nga Maqedonia, jugu i Serbisë dhe ata në Mal të Zi, ndjehen fortë si një komb i vetëm edhe pse jetojnë në pesë shtete të ndryshme nëpër Ballkanin Perëndimor, që nga rënia dhe largimi i Perandorisë Osmane nga rajoni, në prag të luftës së parë botërore dhe gjatë saj.

“Dhe ky element i fortë i identitetit kombëtar është ndjerë dhe parë me theks të veçantë e të fuqishëm edhe në selinë e UNESCO-s në Paris muajin e kaluar dhe tash në nëntor, tek të dy ambasadorët e Shqipërisë dhe Maqedonisë”, tha burimi nga BE në Paris, i cili kërkoi anonimitet, lidhur me intervenimet e shumta të Buxhakut dhe Kadaresë kundër taktikave të diplomatëve rusë dhe serbë për të dështuar votimin për Kosovën në UNESCO që pritet të ndodhë në hënën (09 nëntor).

Muajin e kaluar Këshilli Ekzekutiv i agjensionit të OKB-së votoi në favor të përfshirjes së kërkesës së Kosovë në Konferencën e Përgjithshme.

Serbia argumenton se Kosova nuk është e gatshme për të mbrojtur objektet fetare serbe. Ajo po ashtu është ankuar se hyrja e Kosovë në UNESCO mund të dëmtojë bisedimet midis Beogradit dhe Prishtinës të ndërmjetësuar nga BE-ja për ‘normalizim’ të marrëdhënieve midis të dy shteteve fqinje.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq ka thënë gjatë një fjalimi javën e kaluar në Paris se UNESCO ‘nuk duhet politizuar’ dhe ka kërkuar që debati për Kosovën të shtyhet për një herë tjetër.

Njësoj sikur edhe Daçiq, edhe homologu i tij rus, Sergey Lavrov ka thënë në fjalimin në UNESCO se fuqitë perëndimore po e ‘përdorin’ UNESCO-n si vegël për të legjitimuar pavarësinë e Kosovës.

Por ambasadori Agron Buxhaku në një intervistë me Dtt-net.com, thotë se arsyetimet e Serbisë dhe të Rusisë janë krejtësisht të pabaza dhe me qëllim po shtrembërohen nga këto dy shtete për t’i dhënë ngjyrë dhe kënd politik të njëanshëm kërkesës së Kosovës për anëtarësim.

“Gjatë intervenimeve të mia në takimet e deritashme që nga 3 tetori kam theksuar po ashtu se Kosova ka një popullatë të re e cila ka nevojë që të përfitojë nga programet e shumta për edukim të UNESCO-s. Përfitimet e qytetarëve të Kosovës përmes këtyre programeve kanë po ashtu edhe karakter të shkëmbimeve dhe përvojave rajonale për të cilat qytetarët dhe rinia kanë nevojë, e të cilat po ashtu i promovon dhe investon në to edhe Bashkimi Evropian nëpër tërë Ballkanin Perëndimor,” tha ambasadori i Maqedonisë në Francë dhe UNESCO, Buxhaku për Dtt-net.com.

Diplomati nga Maqedonia në një nga fjalimet e tij në UNESCO për kërkesën e Kosovës, po ashtu ka bërë edhe një paralele midis shteteve të Ballkanit Perëndimor që u krijuan nga shkatërrimi i ish-Jugosllavisë, në raport me anëtarësimin e tyre në UNESCO dhe shteteve afrikane e të Amerikës Latine, në anën tjetër, të cilat dikur ishin nën regjimet koloniale evropiane (Francë, Angli, Portugali, Belgjikë, Holandë…).

“Nga federata ish-Jugosllave tash i kemi shtatë shtete. Dy prej tyre (Maqedonia dhe Mali i Zi) tashmë janë anëtare të Këshillit Ekzekutiv të UNESCO-s dhe mandatet e tyre përfundojnë këtë vit. Dy të tjera (Sllovenia dhe Serbia) do të hyjnë në Këshill për katër vitet e ardhshme. Ky diversitet – disa shtete nga rajoni brenda UNESCO-s -është pasuri e vërtetë e vet UNESCO-s. A mund ta merrni me mend një UNESCO të sotme me vetëm 5 shtete nga Afrika, ashtu siç ka qenë në vitin 1945, kur në tërë botën kishte vetëm 53 shtete?

Sipas një logjike të këtillë, Spanja do të përfaqësonte (sot) të gjitha shtetet e Amerikës Latine në UNESCO, nëse do të ishim të ‘rreptë’ në respektimin e të ‘drejtës ndërkombëtare‘ për të cilën po flasin disa diplomatë këtu”, shkruhet në një nga transkriptet e fjalimeve dhe intervenimeve të Agron Buxhakut ndaj diplomatëve të Serbisë dhe Rusisë në UNESCO.

Ka shumë argumente dhe kundërargumente nga të dy kampet, pro-Kosovë dhe kundër-Kosovë në selinë e UNESCO-s.

Serbia, javën e kaluar ka arritur që të fusë në rend dite për të hënën votën e rrezikshme duke kërkuar shtyrjen e votës së Konferencës së Përgjithshme për deri në 2 vite.

Serbisë dhe Rusisë iu duhet vetëm shumicë e vogël (51%) të votave për të arritur qëllimin dhe vonuar anëtarësimin e Kosovës në agjensionin e OKB-së.

Të hënën (9 nëntor) pritet përsëri betejë e ashpër midis vendeve mike të Kosovës në njërën anë dhe atyre të Serbisë në anën tjetër.