Beteja për numrat e PTK’së

Shitja e PTK’së ka mbetur pezull. Sot vazhdon seanca dhe beteja e pozitës dhe opozitës për të siguruar numrat. E para për ta votuar shitjen e aksioneve të Postës, e dyta për ta bllokuar atë.

Lajme

02/10/2013 05:59

Shitja e 75 për qind të aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës është shndërruar në betejë për numra në mes të pozitës dhe opozitës në Kuvendin e Kosovës.

Koalicioni qeveritar ka dështuar katër herë radhazi, në seancën e kaluar, të votojë për shitjen e aksioneve të PTK’së, në mungesë të kourumit.

Opozita, në atë seancë, në shenjë kundërshtimi për privatizimin e  kësaj ndërmarrjeje publike, për të mos ia krijuar koaliconit qeveritar kourimin, braktisi sallën.

Në mungesë të kourumit, Qeveria atë ditë nuk arriti ta kalojë në Kuvend shitjen e PTK’së.

Kështu, shitja 75 për qind të aksioneve mbeti pezull.

Seanca vazhdon sot.

Para seancës, palët janë tërhequr nga polemikat e forta në distancë dhe po punojnë në strategjitë e tyre, për të realizuar synimet që kanë – për të siguruar numrat e nevojshëm. Pozita për ta kaluar shitjen e PTK’së, ndërsa opozita për ta ndaluar atë, me çdo kusht.

Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e mbajtur të hënën, nuk e vuri në rend të ditës, me arsyetimin se bëhet fjalë për vazhdim të seancës së kaluar, përderia koalicioni qeveritar pohoi me bindje se kjo pikë të hyjë në rend të ditës.

Në këtë rrëmujë të krijuar, Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK’së, Adem Grabovci, thotë për lajmi.net se situata është shumë e paqartë.

“Shefat e Grupeve Parlamentare nuk kanë marrë pjesë në mbledhjen e Kryesisë. Çdo seancë, e cila caktohet, duhet të marrë pëlqimin e Shefave të Grupeve Parlamentare. Tash, unë nuk e di se si do të procedohet më tutje”.

“Absolutisht situata është e paqartë. Nuk e dimë a do të jetë PTK’ja në rend të ditës, sepse ne nuk kemi marrë pjesë në mbledhje të Kryesisë. Në atë moment që unë marr pjesë në mbledhje të Kryesisë, unë do të insistoj që pikë e rendit të ditës, në përputhje me rregulloren dhe të gjitha procedurat tjera, të jetë shitja e aksioneve të PTK’së dhe kjo çështje të shkojë në Parlament për votim. Pra, Kryesia duhet të vendosë”.

Një ditë më herët Grabovci pohoi disa herë para gazetarëve, se PTK’ja do të përfshihet në rend të ditës, pavarësisht vendimit të Kryesisë së Kuvendit.

Ardian Gjini, Kryetar i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, thotë për lajmi.net se kjo parti nuk do t’ia bëjë kourumin koalicionit qeveritar.

“Partitë në pushtet e kanë shumicën. Ato mund ta votojnë, por në rast se nuk do ta kenë, gjatë seancës së radhës, ne nuk do t’i mbështesim. Do të thotë, nuk do t’ua bëjmë kuorumin atyre”.

“Agjenda e seancës është vendosur dhe PDK ka qenë prezent në atë rast. Është koha të largohet praktika e mëhershme, që në çdo seancë, sa herë t’i bjerë ndërmend dikujt, të fusë pika të reja në rendin e ditës”.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Ymeri, thotë për lajmi.net se një kërkesë e mundshëm e PDK’së, për ta futur këtë pikë në rendin e ditës për seancën e sotme, do të ishte jashtëzakonshëm në shpërputhje me rregullat e ligjet në fuqi.

“Seanca e sotme është vazhdim i një seance të mbetur gjysmë. Në këtë rast, nuk kanë të drejtë ta bëjnë një gjë të tillë”.

“Kjo (mocioni për futjen e pikës për PTK’në në rendin e ditës) nuk bëhet në vazhdim të seancës, sepse në vazhdimin e një seancës nuk mund të ketë mocion”.

Visar Ymeri thotë se janë në konsultime veçanërisht me LDK’në për të marrë masa që shitja e PTK’së të mos kalojë në Kuvendin e Kosovës.

“Do ta kundrështojmë dhe do t’i marrim masat që ta pamundësojnë këtë.”

“Jemi ne konsultime me LDK, që bashkarisht t’i ndërmarrim të gjitha masat për ta parandaluar këtë dhe për ta mbrojtur Postën nga kjo Qeveri grabitqare.”

PDK’ja, përmes Grabovcit, të hënën insistoi se kjo pikë patjetër do të jetë në seancën e sotme. Por, një ditë më vonë, u tërhoq dhe deklaroi se për këtë do të vendoset në Kryesinë e Kuvendit.

A u tërhoq PDK në mungesë të kourumit prapë, apo është strategji për seancën e sotme?

“Është një çështje e cila ka mbetur në gjysmë. Ka mbetur vetëm procedura e votimit dhe atë duhet ta vendosë  në rend të ditës Kryesia e Parlamentit”, thotë Grabovci për lajmi.net.

“Jo, absolutisht nuk jemi tërhequr, por atë pikë duhet ta fusë në rend të ditës Kryesia, sepse është pikë e papërfunduar, pasi ka ka mbetur vetëm procedura e votimit”.

Adem Grabovci thotë se dihet botërisht se është debatuar dhe shterrur debati rreth privatizimit të Postës.

“Tani ka mbetur vetëm procedura e votimit dhe atë nuk ka të drejtë askush ta pengojë, sepse bie në kundërshtim me të gjitha rregullat. Çdo pikë e rendit të ditës, e cila debatohet dhe në mungesë të kuorumit mbetet pa u votuar, ajo automatikisht nga Kryesia duhet të futet në rend të ditës për t’u përfunduar si procedurë.”

“Mocion unë kam të drejtë të bëj nëse dëshiroj të ngris një çështje të re. Mirëpo, ajo është çështje në procedurë që duhet ta përfundojë Kryesia e Kuvendit dhe Parlamenti duhet të marrë një vendim.”

Grabovci thotë se PTK’ja nuk është çështje që i takon vetëm PDK’së apo koalicionit qeverisës.

“PTK’ja është një çështje më madhore, që u takon të gjithë qytetarëve të Kosovës, në rastin konkret, të gjithë deputetët  të Parlamentit të Kosovës, që ata të marrin një qëndrim dhe përmes votës të deklarohen nëse janë ‘për’ apo ‘kundër’”.

“Ne si koalicion qeveritar asnjëherë nuk e kemi pasur as nuk e kemi shqetësimin e numrave”.

Adem Grabovci, megjithatë, nuk shpalosi skenarin e PDK’së për ditën e sotme, nëse do ta sigurojë kourumin për të votuar për shitjen e PTK’së.

Lajmi.net nga burime të sigurta mëson për skenarin e përgatitur nga opozita për ta bllokuar shitjen e PTK’së.

Në rast se koaliconi siguron kourumin, mban seancën dhe voton për shitjen e PTK’së, LDK dhe Vetëvendosje do ta braktisin seancën. Këto dy forca politike opozitare do të nisin menjëherë mbledhjen e 40 nënshkrimeve të deputetëve për të thirrur një seancë të jashtëzakonshme për të krijuar një komision hetimor për procesin e shitjes së PTK’së. Me këtë, do të bllokohej përkohësisht, për disa muaj,  procesi i shitjes së PTK’së, që do të prishte planet e Qeverisë, që ka paraparë të hyrat e shitjes së kësaj ndërmarrje në Buxhetin e vitit 2014, për të cilin do të votohet në dhjetor.

Sidoqoftë, janë numrat ata që do të vendosin për fatin e PTK’së.