Beteja për Kobane, IS vendos një flamur në lindje të qytetit

Luftimet mes forcave kurde dhe militantëve të IS janë ashpërsuar së tepërmi pas tre ditë luftimesh në qytetin sirian Kobane, në kufi me Turqinë. Ndërsa për herë të parë mbi qytet është ngritur edhe flamuri i zi i militantëve islamikë, mësohet se këta të fundit kanë vënë nën kontroll dhe kodrën Mistenur, nga ku mund të bombardohet i gjithë qyteti.

Bota

06/10/2014 20:02

Flamuri i zi, me shkrime kuranore të bardha, është vendosur për herë të parë mbi një godinë në anën lindore të këtij qyteti me shumicë kurde. Ndërsa vetë ushtarët kurdë, të cilët po e mbrojnë qytetin për ditë të tëra, u bëjnë apel ndërkombëtarëve edhe për ndihmë tokësore, pasi gjendja është rënduar si në mangësi në njerëz ashtu edhe në municione, transmeton gazeta Shqiptarja.

Raportohet se militantët e IS kanë vënë nën kontroll kodrën Minsteur, në lindje të qytetit, gjë që ka shtuar frikën se ata mund ta përdorin si pikë strategjike për të bombarduar çdo pjesë të Kobane. Ushtria turke nga ana e saj ndodhet shumë afër me qytetin e rrethuar nga islamikët dhe, pavarësisht se Ankaraja u zotua se do të ndihmonte kurdët në Siri, deri më tani asnjë veprim nuk është marrë.

Nga qyteti i Kobane, pak kohë para se të rrethohej nga ushtritë e kalifatit islamik, janë larguar drejt kufirit turk rreth 160 mijë civilë sirianë, kryesisht të etnisë kurde. Po këta të fundit janë duke protestuar, në afërsi të kufirit, kundër mosndërhyrjes së ushtrisë turke.

Ndërsa kurdët e izoluar brenda qytetit dhe të përfshirë në luftime zotohen se do ta mbrojnë deri në fund.

“Nëse arrijnë të hynë, do të jetë një varrezë për ne dhe gjithashtu për ata. Ne ose fitojmë ose vdesim. Ne do të rezistojmë deri në fund”, deklaroi pak orë më parë për agjencinë britanike të lajmeve Reuters, Esmat al-Sheikh, kreu i Autoritetit për Mbrojtjen e qytetit Kobane.