Beteja ‘kundër’ dhe ‘pro’ korrupsionit

Udhëheqësi i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, Safet Hoxha, thotë se ka një \"luftë\" ndërmjet atyre që janë të interesuar të vendosin rend e ligj dhe atyre që janë \"kundër sisitemit\".

Lajme

22/01/2014 16:05

Kreu i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik në Kosovë, Safet Hoxha, nuk mohon që ka korrupsion në këtë sektor, ndonëse thotë se nuk është në atë nivel sa thuhet.

Duke folur për Radio Kosovën, ka theksuar se sektori që ai udhëheq është i angazhuar që të luftojë korrupsionin, keqpërdorimin e parasë publike, por edhe favorzimin e diskriminimin.

“Prokurimi publik ka bërë avancime të mëdha në kuptimin e luftimit të këtyre dukurive, jo vetëm të korrupsionit, por edhe dukurive tjera devijuese që janë në këtë fushë, qofshin favorizimet, diskriminimet etj”.

Hoxha, po ashtu, ka thënë se ka një “luftë” ndërmjet atyre që janë të interesuar të vendosin rend e ligj dhe atyre që janë të interesuar ta “devijojnë këtë sistem”.

Por, sipas tij, gjendja në Kosovë është përmirësuar ndjeshëm, sidomos krahasuar me vitin 2010, kur kishte dalë raporti më i keq për prokurimin publik në Kosovë.

“Ka qenë një vit kur procedurat e negociuara kanë qenë në shkallën diku 14 për qind, që janë procedurat që shoqërohen me një dilemë për mundësi korrupsioni. Sot ato procedura janë në nivelin më të ultë të rajonit dhe në nivel të BE’së, janë në shkallën 6 deri në 7 për qind mesatarisht”.

“Ndërhyrje në kuptimin e kritereve ka më shumë se 100 ndërhyrje gjatë një viti, flas për vitin 2013”, ka thënë Safet Hoxha për Radio Kosovën.