Besim Beqaj optimist: S’po bankrotojmë

Ministri në detyrë i Financave, Besim Beqaj tha se shteti i Kosovës nuk po bankroton. Ai tha se Kosova ka stabilitet makrofiskal dhe se të gjitha pagesat e parapara për këtë vit do të kryhen.

Lajme

28/10/2014 21:12

Në një intervistë për Zona B në Klan Kosova, Beqaj tha se Kosova ka stabilitet makrofiskal dhe se të gjitha aktivitetet e parapara për këtë vit do të kryhen.

“Jo, në asnjë rrethanë”, tha Beqaj, kur u pyet se a bankroton shteti.

“Stabiliteti makrofiskal i vendit nuk është i lëkundur dhe nënkupton që të gjitha projektet që janë paraparë për këtë vit do të realizohen. Të gjitha pagat, pensionet do të kryhen pa problem”.

“Në asnjë rrethanë nuk kemi rrezikim të aktiviteteve që kanë qenë të planifikuara, sepse kemi performancë të mirë edhe të Doganës edhe të Administratës Tatimore”.

“Bilanci bankar nuk rrezikohet. Ne jemi në kuadër të parametrave edhe të bilancit bankar dhe të rregullave fiskale”.

Duke folur për afatet se deri kur nuk do të ketë probleme financiare në Kosovë, Beqaj tha se edhe nëse në dy muajt e parë të vitit të ardhshëm Kosova mbetet pa institucione të formuara, nuk do të ketë probleme financiare.

“Janari, shkurti apo marsi, cilindo që ta marrim si afat, sipas ligjeve definohet shumë qartë, dy muajt e parë qeveria ka të drejtë që 1 të 12-ën e buxhetit ta shpërndajë dhe, në rast se nuk bëhet qeveria, duhet të mbahen zgjedhjet. Por, ne nuk hyjmë në atë krizë”, vlerësoi Beqaj.

“Nuk ka krizë financiare në këtë shtet as për vitin e ardhshëm, ka krizë institucionale sepse nuk ka fuqi të vendimmarrjes”, tha Beqaj për Klan Kosova.