Besën për votë

LDK ka hapur fushatën në Prizren dhe ka kërkuar nga qytetarët që ta japin votën për Eqrem Kryeziun. Isa Mustafa tha se garanton që LDK do të jetë lidhje e besës me qytetarin.

Lajme

04/10/2013 17:36

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka kërkuar besën e qytetarëve të Prizrenit që të votojnë për kandidatin e kësaj partie për Kryetar të Prizrenit, Eqrem Kryeziun.

“Ju të votoni për fitore, që të votoni për vetveten, sepse këtu jemi që të fuqizojmë Prizrenin, pasi Prizreni është i Kosovës”, tha Mustafa.

“Ne këtu nuk kërkojmë votën për Eqrem Kryeziun, jo pse s’duam ta fuqizojmë atë si person, por votën për qytetarin  i cili do të fuqizohet përmes udhëheqjes së Eqremit Kryeziut”.

“Ju garantoj se LDK do të jetë lidhje e besës suaj. Ju ia jepni votën LDK’së dhe ne do të japim besën. Unë besoj shumë se ju me 3 nëntor do të votoni për LDK, do të votoni për qytetarin e Prizrenit, për suksesin e Prizrenit”.

Kandidati i LDK’së për Kryetar të Prizrenit, Eqrem Kryeziu, ka thënë se vota për LDK’në do të tregojë që shpresa e qytetarëve për ndryshime nuk ka qenë e kotë

“Tranzicionit tonë të flamosur i ka ardhur fundi”, ka thënë ai.

“Prizrenasit kur të zgjohen më 4 nëntor, nëse dikë prej jush e ka zënë gjumi, do ta shohin në mëngjes së ëndrra e tyre dhe shpresa e tyre nuk ka qenë e kotë.”