Besart Berisha do të shpërthejë

Besart Berisha ka ‘agjëruar’ në ndeshjet e fundit. Sulmuesi kosovar nuk po e gjen assesi golin me ekipin e tij Brisbane Roar. Përfaqësuesi shqiptar nuk ka shënuar në tri ndeshjet e fundit. Por, portieri i klubit australian, Michael Theo, është i bindur se 28 vjeçari do ta gjejë golin në duelin e fundjavës ndaj ekipit…

Sport

06/03/2014 22:00

Besart Berisha ka ‘agjëruar’ në ndeshjet e fundit. Sulmuesi kosovar nuk po e gjen assesi golin me ekipin e tij Brisbane Roar. Përfaqësuesi shqiptar nuk ka shënuar në tri ndeshjet e fundit.

Por, portieri i klubit australian, Michael Theo, është i bindur se 28 vjeçari do ta gjejë golin në duelin e fundjavës ndaj ekipit të pozitës së tretë në tabelë, Adelaide në Suncorp Stadium, takim ky që do të luhet të dielën.

Prishtinasi i ka zhvilluar 14 nga 21 ndeshjet e Brisbane këtë edicion, duke munguar në gjashtë prej tyre për shkak të lëndimit dhe suspendimit. Ai ka realizuar tetë gola deri tash.

“Besarti ishte i pafat. Ai është një lojtar kualitativ dhe i rrezikshëm gjithmonë. Nëse shënon ose jo, derisa ne si ekip shënojmë, kjo nuk është problem”, deklaroi portieri i klubit nga A-League.

“Ai është një grabitqar dhe jam i sigurt se do të shënojë shumë shpejtë. Ai kishte një javë të mirë në stërvije. Besarti është sulmuesi më i mirë në ligë, kështu që ne kemi besim se do të kthehet së shënuari shumë shpejtë”, vazhdoi ai.

Berisha do të largohet nga Brisbane në fund të sezonit, për t’iu bashkuar ekipit Melbourne Victory. Edhe pse kjo u bë e ditur para përfundimit të sezonit, Theo insiston se kjo nuk ka ndikuar aspak në mungesat e golave të ish futbollistit të Hamburgut.

“Me Besartin, ju mund ta llogarisni gjithmonë 100 për qindëshin e tij. Tek ai nuk ndikon asgjë. Fokusi i tij total është në Brisbane, për pjesën e mbetur të sezonit”.

“Në stërvitje ai shihet që është gati dhe do të vijë dita kur do të shpërthejë. Ky është tipi i lojtarit të cilit i përket ai”, përfundoi portieri Michael Theo.