BERZH përfshihet në privatizimin e Telekomit të Kosovës

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) do të përfshihet në procesin e privatizimit të të Telekomit të Kosovës.

Lajme

22/01/2019 23:55

Kështu ka bërë të ditur ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka.

Ministri ka treguar se ka kërkuar nga BERZH të ofrojë asistencë teknike (në formë të grantit) për fazën e ristrukturimit dhe ripozicionimit të kësaj ndërmarrjeje.

Në kërkesë, ka shtuar ministri Lluka, kam potencuar faktin se Qeveria e Kosovës, në bazë të planit të saj qeverisës, parasheh privatizimin e kësaj ndërmarrjeje.

“Gjithashtu, kam bërë të qartë se para gjithsecilit vendim të privatizimit, përmirësimi i përformancës së ndërmarrjes si dhe praktikave brenda saj është prioritare dhe do i paraprijë çfarëdo procesi tjetër”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook.

Dhe, sipas ministrit, BERZH është përgjigjur pozitivisht dhe ka shprehur gatishmërinë për të ofruar asistencë teknike në fazën e ristrukturimit, ofrimin e një kredie deri në 25 milionë euro si dhe hartimin e një dokumenti mbi hapat që duhet të ndjekë Qeveria e Kosovës për privatizimin e kësaj ndërmarrje, i cili ndër të tjera bazohet në principet si në vijim: vlerësimin e drejtë të secilës ofertë për privatizim të Telekomit, përkushtim dhe transparencë në këtë proces, inkurajim të konkurrencës si dhe rishikim të proceseve dhe strukturave brenda Telekomit të Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka miratuar sot kërkesën e prezantuar nga ministri i Zhvillimit Ekonomik për përgatitjen e Telekomit të Kosovës për privatizim. /Lajmi.net/