BERZH jep 25 mijë euro kredi për transportin publik në Prishtinë (video)

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka ofruar 25 mijë euro për Komunën e Prishtinës për të investuar në ristrukturimin dhe blerjen e 25 autobusëve të rinj.

Lajme

24/06/2014 15:43

Transporti Publik i Prishtinës do të bëhet me 25 autobusë të rinj modern brenda 3 vjetësh. Kjo sipas një plani të Komunës së Prishtinës i cili parasheh ristrukturimin dhe riformatimin e autobusëve, e cili do të ndihmohet nga BERZH me 25 mijë euro.

Sipas kryetarit të kësaj komune, Shpend Ahmeti, ndryshimet e trafikut urban në Prishtinë do të fillojnë të shihen në vjeshtën e këtij viti, atëherë edhe kur do të vendoset për llojin e autobusëve të cilët duhet blerë.

“Mendohet se në Prishtinë janë diku 180 autobusë por natyrisht që nuk do të jenë të gjitha të kompanive publike. Duhet të potencoj se një prej kushteve, siç ka qenë edhe atëherë me qeverinë japoneze është edhe kushti i ri për ristrukturimin dhe riformatimi i transportit publik”.

“Me këtë duam të lajmërojmë se autobusët do të blihen nga një pjesë e buxhetit i cili është i caktuar, por një pjesë tjetër do të bëhet në marrëveshje me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim me anë të një kredie\”.

“Kjo kredi është me kushte shumë më të buta e cila do të na mundësojë ta modernizojmë tërësisht transportin publik. Pastaj, prej të hyrave që gjenerohen në trafikun urban kjo kredi do të kthehet”.

“Në fund të kësaj reforme, do të kemi ndoshta edhe transportin publik më modern të ndonjë kryeqyteti në këtë pjesë të Evropës”, tha Ahmeti.

Udhëheqësi i Zyrës së BERZH-it në Kosovë, Anton Kobakov, ka thënë se ndihma e tyre do të derdhet në dy pjesë, në atë të ristrukturimit dhe riformatimit të autobusëve të vjetër dhe blerjen e autobusëve të rinj.

“Jetoj tash e tre vite në Prishtinë dhe mendoj se duket qartë që Prishtina ka nevojë për një funksionim të mirë të transportit publik dhe autobusë modern me sistem të ri biletash ku qytetarët e Prishtinës do të ndiheshin mirë posa të hipin në këta autobusë”.

“Jam shumë i lumtur të mbështesë këtë iniciativë nga kryetari Ahmeti, për ta përmirësuar situatën e transportit publik”.

“Jemi duke folur për asistenca teknike për transportin publik,  të cilat kushtojnë 25 mijë euro dhe e dyta është ndihma ndaj këtij plani për të blerë 25 autobusët e rinj”, tha ai.

Ndërkaq Ahmeti shtoi se këta autobusë do të menaxhohen nga trafiku urban dhe do të jenë “low floor” (dysheme e ulët) që janë të përshtatshme për fëmijë dhe persona me nevoja të veçanta.

“Nga buxheti i Komunës i ndarë për vitin e ardhshëm do të blihen gjithashtu edhe një numër i konsiderueshëm i autobusëve”, tha Ahmeti.