BERZH: 50% e shqiptarëve duan demokraci, 31 % duan sistem autoritar

Sipas Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, 31% e shqiptarëve preferojnë më shumë një sistem autoritar qeverisjeje sesa demokracinë.

Lajme

19/08/2017 19:24

Gjetjet janë bërë publike në vrojtimin “Jeta në Tranzicion”, që BERZH bën mbi të gjitha ekonomitë në zhvillim, shkruan Top Channel.

Sipas raportit, pjesa e shqiptarëve që duan qeverisje autoritare është tre herë më e lartë sesa ajo e qytetarëve të Europës Perëndimore.

Madje, ajo është më e lartë edhe sesa mesatarja e ish-vendeve komuniste të ngjashme me Shqipërinë, ku treguesi raportohet 28%.

Sipas vrojtimit, vetëm 50% e shqiptarëve preferojnë një sistem demokratik qeverisjeje, ndërsa pjesa tjetër shprehen neutralë.

Të dhënat tregojnë madje se mbështetja për demokracinë në Shqipëri është ulur ndjeshëm në gjashtë vitet e fundit, nga 57% që ishte në vitin 2010, në 50% aktualisht.

Vrojtimi paraqet një panoramë të ngjashme edhe për preferencat mbi sistemin ekonomik.

Sipas BERZH, një e treta e shqiptarëve dëshirojnë të kenë një ekonomi plani të centralizuar, si ajo e regjimit komunist.

Kjo shifër është 13 pikë përqindje më e lartë sesa mesatarja e vendeve të Europës Perëndimore, por në raport me vendet e tjera në tranzicion ajo është lehtësisht më e ulët.

Gjetjet e vrojtimit janë rezultat i intervistave direkte.

Sipas BERZH, hartuesit e sondazhit kanë pyetur 1500 veta për secilin nga 29 vendet e përfshira në vrojtim.

Përfundimi kryesor është se në vendet ish-komuniste të lindjes, nostalgjia për të shkuarën, të paktën sipas BERZH, është jo e vogël.