Bërnabiq: Kjo është dëshira ime për Serbinë dhe Kosovën

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq ka folur për Kosovën gjatë bisedës në qendrën për politikë evropiane (EPC) në Bruksel.

Lajme

19/12/2018 15:23

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq ka deklaruar nga Brukseli se Serbia është në rrugë të mirë sa u përket reformave dhe treguesve ekonomik.

Mirëpo, sipas saj, Serbia ballafaqohet me sfida të mëdha pas vendimeve të njëanshme dhe paparashikueshme nga Prishtina.

“Ne kërkojmë qetësi dhe stabilitet, zgjidhje të problemeve në përputhje me mekanizmat ekzistues ndërkombëtar”, deklaroi Bërnabiq gjatë bisedës në qendrën për politikë evropiane (EPC) në Bruksel, transmeton lajmi.net.

Ajo ka theksuar se normalizimi i raporteve mes Beogradit dhe Prishtinës është në interes të gjitha palëve, pa marrë parasysh rrugëtimin e integrimit evropian.

“Presidenti Aleksandar Vuçiq ka qenë mjaft i guximshëm duke hapur temat në opinionin serb. Ato janë çështje komplekse dhe emocionale për Serbinë. Shpresoj në vazhdimin e dialogut. Është me rëndësi për serbët dhe shqiptarët, por dhe gjithë regjionin andaj shpresoj se do të mbizotërojë mirëkuptimi”, shtoi ajo.

Bërnabiq theksoi se është “cak ambicioz” se viti 2025 mund të jetë viti i hyrjes së Serbisë dhe Malit të Zi në Bashkimin Evropian. /Lajmi.net/