Bërja e gotës

Integrimi i mirëfilltë i Veriut në Kosovë është dhe do të jetë një proces i rëndë, i mundimshëm, i lodhshëm, me prapakthime. Por ky proces nuk njeh alternativë.

Opinion

27/08/2015 16:31

Testi i Rorschach-ut, mbase, është pikënisja e mirë në përpjekjen për të vlerësuar dhe interpretuar Marrëveshjen e 25 gushtit e cila hapë udhë krijimit të Asociacionit/ Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Siç dihet, tek testi i Rorschach-ut, një figurë qëllimisht e paqartë, gjatë intepretimit të saj prej secilit individ, fiton a merr një shpjegim, i cili rëndom shfaqë preokupimet kryesore të atij personi, në rrethanat ekzistuese. Pra, në këto raste, njeriu që interpreton këtë figurë, përmes këtij  (interpretimi) tregon se çfarë dëshira a synime ka, cilat janë shqetësimet dhe problemet e tij.

Natyrisht, në rastin e Marrëveshjes së Brukselit, ka qartësi shumë më të madhe, dhe mundësia e sqarimit dhe komentimit të saj është evidente. Por, çfarë ia vlenë të thuhet menjëherë është që as kjo Marrëveshje, dhe asnjë tjetër që në themelet e saj ka problemet e mëdha politike, nuk është Kontratë Ligjore dhe nuk mund të lexohet në atë mënyrë.

Këto Marrëveshje, edhe në shembujt më të mirë, kanë si përbërës të vet të pashmangshëm, dykuptimësitë, të cilat do të duhet të zbehen dhe më në fund, edhe të zhduken, me kalimin e kohës, gjatë zbatimit të tyre, për të çelë udhë për krijimin e një situate të re politike. Zatën, edhe në këtë rast, çelësi i një Marrëveshje është përmbushja a zbatimi i saj.

Burimi i kësaj Marrëveshje, ashtu sikurse edhe e Marrëveshjes së Parë për normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë  (19 prill, 2013), është një gjendje në terren, në Veri të Kosovës, në radhë të parë, e cila ka qenë (dhe në masë të caktuar, vazhdon të jetë edhe sot e kësaj dite), në shpërputhje me dimensionin ligjor/ kushtetues në Kosovë.

Kur Kosova u bë shtet i pavarur, me 17 shkurt, 2008, ajo gjeti, si shtet, gjendjen në Veri, e cila kishte domethënien e një bosnjëzimi faktik, apo, në terminologjinë ndërkombëtare, Veriu i Kosovës ishte një ‘konflikt i ngrirë’. Veriu si i tillë, një herë u injorua tërësisht si prej nesh, ashtu edhe prej kryeqendrave perëndimore, pastaj, u ri-hap si problem me ngjarjet e njohura të korrikut 2011, për të marrë pastaj trajtën e bisedimeve në Bruksel, të cilat synonin integrimin e Veriut të Kosovës, heqjen e strukturave të Serbisë, dhe arritjen e një situate të paparë në historinë e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila do t’i shpjegonte këto raporte me kategorinë e normalitetit.

Marrëveshja e fundit, që ecën tutje në drejtimin e bërë pak më shumë se dy vjet në Bruksel, objektivisht, pajisë autoritet kosovare me kapacitetin e duhur ligjor për të kaluar në një stad të ri në synimin për integrimin e Veriut të Kosovës, apo, për ta ndryshuar realitetin e trashëguar për vite me radhë.

A do të thotë kjo që gjithçka është në rregull, apo që me një automatizëm, në vijim të këtij dakordimi, proceset do të ndodhin ashtu si do të duhej, shikuar nga perspektiva dhe interesi kosovar?

Mohimi i një supozimi të tillë nuk është një përgjigje politike. Ky është një parashikim i qëndrueshëm. Integrimi i Veriut nuk ka mundur të bëhet pa dokumente a marrëveshje të këtilla. Por poashtu, integrimi nuk bëhet vetëm me dokumente të kësisojta.

Tej dimensionit legal, në këto raste, gjithnjë ekziston edhe ajo ana politike, e cila është në varëshmëri të plotë nga zhvillimet politike në vend, nga relacionet e Kosovës me Serbinë, nga pamja që për ne dhe për Serbinë krijojnë kryqendrat perëndimore, nga proceset e integrimit të Kosovës dhe Serbisë në BE.

Shumë elemente të një tablloje të vetme. E vërtetë. Por në politikën e mirëfilltë pamjet janë thuaja gjithmonë të ndërlikuara dhe rezultati final në një ndërmarrje, nuk varet vetëm nga hapi i parë  (në këtë rast, nga kjo Marrëveshje), por edhe nga shumë të tjerë që duhet të pasojnë.

Integrimi i mirëfilltë i Veriut në Kosovë është dhe do të jetë një proces i rëndë, i mundimshëm, i lodhshëm, me prapakthime. Do të ketë probleme. Sigurisht. Poashtu, do të ishte iluzion i madh të mendosh që Qeveria e Serbisë nuk do të përpiqet ta përdorë bërjen e Asociacionit/ Bashkësisë, për interesat e veta. Largimi final i Serbisë nga Kosova bëhet vetëm me njohjen reciproke të këtyre dy shteteve.

Në fund, kjo situatë nuk përshkruhet dot me atë figurën e njohur të gotës gjysmë të mbushur apo gjysmë të zbrazur, varësisht nga pikëshimi.

Gota tek do të bëhet. Dhe pastaj, do të varet prej nesh se me çka do ta mbushim, duke iu shmangur vazhdimisht thyerjes së saj.

(Autori është opinionist i rregullt në lajmi.net)