Berisha: Zgjedh mes Shqipërisë, Kosovës, Gjermanisë dhe Austrisë

Mërgim Berisha, po tërheq rreth vetes qendrën e vëmendjes së shumë mediave sportive.

Sport

04/11/2016 11:32

Sulmuesi i talentuar 18-vjeçar i ekipit austriak Red Bull Salzburg, Mërgim Berisha, po tërheq rreth vetes qendrën e vëmendjes së shumë mediave sportive.

Sezoni fantastik që po zhvillon në kategorinë e dytë austriake me ekipin e dytë të Salzburgut, ku ka shënuar 9 gola në 15 ndeshje, apo dhe paraqitja e shkëlqyer me Salzburgun U-19 në Ligën e të Rinjve të UEFA-s, ku ka shënuar 7 gola në dy ndeshje. ka rënë në sy të medias prestigjoze gjermane “Bild”.

Në rubrikën javore të kësaj gazete ku promovohen talentet e rinj të futbollit nëpër Europë, këtë radhë është përzgjedhur Berisha. “Bild” përshkruan talentin e tij me topin, teksa gjithashtu zbulon situatën e ekipit përfaqësues me të cilin sulmuesi do të aktivizohet, përcjell “Panorama Sport”.

“Vetëm Shqipëria më ka kërkuar njëherë, por në atë kohë kam qënë i dëmtuar. Gjithashtu mund të luaj për Kosovën, Gjermaninë ose Austrinë. Nuk e kam vendosur ende”, është shprehur ai për mediat austriake.

Prindërit e Berishës janë nga Kosova, por futbollisti është lindur në Gjermani. Hapat e para të karrierës ai i ka hedhur në Austri në akademinë e Salzburgut, klub nga i cili nuk ka lëvizur asnjëherë. Megjithatë sulmuesi është i pajisur me pasaportë shqiptare, dhe shanset që të luajë për kombëtaren kuqezi janë shumë të mëdha duke parë që deri më tani vetëm FSHF është interesuar për të.

Parashikoni ndeshje të futbollit dhe fitoni dhjetëra shpërblime, duke përfshirë një iPhone 7 dhe Samsung Galaxy S6.