Berisha: Ishte një vit tejet i suksesshëm

Dardan Berisha ndihet i kënaqur me sezonin që e kaloi Sigal Prishtina. Basketbollisti pejan thotë se bardh e kaltrit e kaluan një sezon të suksesshëm, pasi e fituan titullin, kupën dhe Superkupën.

Sport

30/05/2014 00:37

Dardan Berisha ka qenë ndoshta basketbollisti më i mirë i Sigal Prishtinës këtë sezon. Basketbollisti pejan shkëlqeu edhe të enjten mbrëma, duke realizuar 30 pikë në fitoren 74:65 ndaj Pejës, në ndeshjen e tretë finale të “Play-Offit”.

Dhe, ish basketbollisti i Pejës është mjaft i kënaqur me sukseset që i arriti me bardh e kaltrit këtë edicion, pasi e fitoi Superkupën, titullin dhe Kupën e Kosovës në basketboll.

“Kishim presion të madh, por edhe telashe me përbërje pasi mbetëm vetëm me një basketbollist të huaj. Ishte një vit tejet i suksesshëm, pasi morëm të gjitha trofetë dhe për këtë jam i lumtur. Kisha vështirësi në fillim për shkak të lëndimit, por me kohë çdo gjë erdhi në vendin e vet”, tha Berisha, i cili shënoi 6 treshe në ndeshjen e sontme.