Berisha do Drejtim të Ri për Kosovën

Komandant i Betejës së Lavdishme të Koshares, Rrustem Berisha, i cili është kandidat për deputetë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka thënë se qytetarët e Kosovës duhet të votojnë të dielën për ndryshimin e qeverisjes, për të ndalur nëpërkëmbjen e shtetit. Ai ka thënë se Drejtimi i Ri është programi më i mirë për zhvillim dhe prosperitet të shtetit të Kosovës.

Lajme

06/06/2014 21:04

Në një intervistë për lajmi.net, Berisha ka thënë se ka një jetë investim profesional dhe përvojë pune në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë dhe se përmes subjektit që i takon do të vazhdojë të kontribuojë me gjithë potencialin e tij intelektual dhe politik në mbrojtje të sigurisë dhe zhvillimit të përgjithshëm të Kosovës.

Berisha ka thënë se beson që qytetarët do ta votojnë atë si kandidat për atë që ai përfaqëson, për vizionin e liderit Ramush Haradinaj dhe programin Drejtimi i Ri të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

lajmi.net: Jeni heroi i gjallë i Betejës së Koshares dhe njëri nga komandantët më të respektuar të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mirëpo për më shumë se një dekadë keni hezituar të kyçeni në politikë, përkundër lutjeve të herë pas hershme që u kanë ardhur nga partitë politike. Pse?
Berisha: E para, të gjithë ata që ishin pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë heronj të popullit. Pastaj vlerësoj se nuk është e vështirë të jesh komandant i suksesshëm në një betejë si ajo e Koshares apo tjera, kur ke përkrah luftëtarë siç i patëm ne atje në frontin e Koshares, luftëtarë të mëdhenj të luftës për liri, ushtarakë e strategë të shquar si: Agim Ramadani, Sali Çeku, Ali Hasi, Abaz Thaçi, Xhemajl Fetahu, dhe oficerët e gjallë si Hisen Berisha, Anton Quni, Musa Gjakova, Skënder Hasangjekaj, Skender Rexhahmetaj, e shumë të tjerë.

Kurse sa i përket kyçjes sime në politikë dhe vonesës që po e paragjykoni ju, po u them se nuk ka të bëjë më vonesën, por është çështje e misionit tim personal dhe profesional.

Unë kam një jetë investim profesional dhe përvojë pune në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë andaj dhe pritjet ndaj meje kam qenë pikërisht në këtë fushë.

Tani, fokusimi i potencialit tim intelektual dhe politik pikërisht në këtë fushë, përmes subjektit që i takoj, ka të bëjë me seriozitetin me të cilin unë i qasem kësaj sfere si garanci e stabilitetit të përgjithshëm në Kosovë.

lajmi.net: Pse keni vendosur t’i bashkohen Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës? Çfarë ju lidh me Aleancën, respekti për kryetarin e partisë Ramush Haradinaj, si ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës apo edhe programi i partisë?
Berisha: Zgjodha këtë subjekt dhe pikërisht këtë lider me karakter të fort, me të cilin u sprovuam atëherë kur mateshin vlerat kombëtare e të atdhedashurisë, që diti t’i dali zot këtij vendi me armë e luftë, dhe sot do të dijë t’i dalë zot me dije, e politika të mençura shtet-ndërtuese dhe institucionale.

Kurse nëse i analizojmë se cilët janë faktorët tjerë të cilët më shtynë të përzgjedh pikërisht AAK-në, atëherë po, është e vërtetë se është programi politik i djathtë i AAK-së, por e përsëris se më shumë se programi është vet besimi në liderin e këtij subjekti dhe besimi në vizionin e tij.

Unë mund të shtrojë pyetje të thjeshta dhe të qarta: Në mesin e personaliteteve politike që përbëjnë  spektrin e lidershipit politikë të Kosovës, a nuk është  lideri i AAK-së, z.Haradinaj, ndër më të dëshmuarit dhe qe ka bërë sakrifica për këtë ven? A nuk është vet z. Haradinaj që dëshmoi dhe mbrojti luftën e drejtë dhe të pastër të UÇK-së, në Hagë? A nuk na beri të ndjehemi të mburrur për këtë jo vetëm ne shqiptarëve, por edhe miqtë tanë strategjik që na mbështetën në luftën ton për liri? A nuk ishte z.Haradinaj në kohën kur Kosova rrezikonte të futej në spiralen e krizës, i përzgjedhuri nga vet lideri i shqiptareve të Kosovës, arkitekti i Kosovës, shtet i lirë dhe demokratik,  Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova?. A nuk mbahen mend edhe sot 100 ditët e qeverisjes Haradinaj, për rezultate të matshme dhe të prekshme për popullin e Kosovës? A nuk ishin ato zgjedhje në të cilat AAK,  garoi dhe fitoi vota në Albanik (Leposaviq), si fakt i shtrirjes se pushtetit në tërë territorin e Kosovës? Në të gjitha këto pyetje, përgjigja është një PO e madhe. Prandaj e zgjodha pikërisht AAK-në.

lajmi.net: Duke qenë se jeni shefi i Departamentit për politikat e mbrojtjes dhe sigurisë në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, çfarë mendoni se ka gabuar qeverisja aktuale, e cila edhe pas gjashtë vitesh pavarësi nuk ka mundur të shtrijë autoritetin e vet të mirëfilltë në tërë territorin e Kosovës?
Berisha: Çështja e mos-shtrirjes së pushtetit dhe ligjshmërisë në tërë territorin e Kosovës nuk daton si problem prej sot. Gabimi i parë është bërë në vitin 99/2000, me mos vendosjen e institucioneve të qeverisë së përkohshme në atë pjesë të territorit. Më vonë shkaqet e mos-shtrirjes së pushtetit shtetëror në atë pjesë të territorit të Kosovës kanë gjeneruar në shkaqe të inkriminueshme nga ligji. Pra jetëgjatësia e kësaj situate ka vazhduar për shkak të involvimit në bizneset ilegale dhe informale në atë pjesë të Kosovës, të zyrtarëve, të të gjitha rangjeve dhe kategorive të qeverisjes, dhe jashtë saj deri në inkriminim.

Nëse i referohemi 25 korrikut 2011, nuk mund të themi se ishte aksion i suksesshëm. Sepse një aksion mund të konsiderohet i suksesshëm nëse t’i e dyfishon fuqinë në atë zonë operimi, por jo siç ndodhi me ndërhyrjen e policisë sonë. U krijua një zonë pasigurie e cila mund të përshkohej vetëm nga strukturat ndërkombëtare të sigurisë. S’do mend se për zgjidhjen e problemeve në veri ndërkombëtarët asnjëherë nuk përmbushën obligimet dhe pritjet, sidomos pas shpalljes se pavarësisë.

Po ashtu, gabimet politike të qeverisjes në ikje qëndrojnë në mos-ndërtimin e politikave integruese të pakicës serbe në shoqërinë dhe institucionet e vendit. Para së gjithash ky integrim nuk duhet të jetë selektiv, por mbi parimet institucionale të shtet-ndërtimit si objektiv qytetar i të gjithëve që jetojmë në Kosovë.

Drejtimi i Ri i AAK-së, ndryshe nga qeverisja në ike, ka një platformë integruese mbi parimet e lirisë, barazisë dhe demokracisë si bazament i shtet-ndërtimit në Kosovë.

lajmi.net: Pse qytetarët e Kosovës, të zhgënjyer në klasën politike dhe të nëpërkëmbur këto vitet e pasluftës, duhet t’i besojnë programit Drejtimi i Ri dhe më datë 8 qershor të votojnë AAK-në?
Berisha: Programi politik i një partie është esencial për ta orientuar votën. Me këtë edhe programi i AAK-së, është  oferta më e mirë për qytetarët e Kosovës. Është një program përmbajtjesor që duke implementuar parimet e Bankës Botërore, dhe të ekonomisë së lirë të tregut, do të ofrojë mundësit zhvillimore për vendin bazuar në resurset vendore.

Po ashtu, drejtimi i Ri ofron shanse dhe mundësi të barabarta për të gjithë për punësim dhe mirëqenie.

Prioritet i programit tonë do të jetë arsimi si shtylla kryesore që vë bazat e një zhvillimi te qëndrueshëm në të gjitha sferat.

Shëndetësia është një fushë e cila në programin tonë do të ketë një qasje të veçantë për të përmirësuar shëndetin publik si dhe avancimin profesional dhe teknologjik.

Bujqësia si një sektor i lënë anash në shkëmbim të një tregtie qarkulluese në disfavor të prodhimeve vendore, do të jetë prioritet në programin e AAK-së, si një sektor që do e çojë përpara zhvillimin e Kosovës si një vend me resurse shumë premtuese në këtë fushë.

Me një fjalë programi i AAK-së, është program i zhvillimit dhe i prosperitetit për Kosovën.