Berisha – De Biasi, problem në Kombëtaren shqiptare

Etrit Berisha priste të merrte shiritin e kapitenit të Kombëtares pas mungesës së Lorik Canës në ndeshjen miqësore ndaj Katarit.

Sport

31/05/2016 12:55

Portieri i Kombëtares shqiptare, Etrit Berisha ka pritur që ai të jetë kapiten i Shqipërisë në mungesë të mbrojtësit Lorik Cana.

Burime të Panorama Sport pranë ekipit kuqezi treguan dje se, portieri nuk është ndier mirë kur ka mësuar se kapiten do të jetë Elseid Hysaj.

Kosovari, si një titullar i padiskutueshëm në Kombëtare prej katër vitesh dhe me 35 ndeshje të luajtura, ka pasur pritshmëri të mëdha për shiritin. Megjithatë, De Biazi vendosi për shkodranin Hysaj, duke privilegjuar këtë të fundit pas sezonit fantastik me Napolin.

“Pse Hysaj kapiten? Sepse është një futbollist që ka cilësi për ta bërë këtë rol. Pastaj është me ne që nga viti 2013 dhe është e drejtë që t’ia njohim edhe eksperiencën dhe kontributin që ka dhënë për Kombëtaren”, kishte thënë trajneri kuqezi për zgjedhjen që kishte bërë

I kontaktuar dje nga gazeta, Berisha nuk pranoi të komentonte faktin nëse kishte pasur qejfmbetje për këtë vendim të trajnerit.

Nga burime pranë lojtarit, mësohet se edhe deklarata që ka bërë sa i përket të ardhmes së tij pas Evropianit është fryt i një mërzitje për faktin që nuk u shpërblye me shiritin e kapitenit, në një kohë që pritej mungesa e Canës.

Parashikoni ndeshjet e EURO 2016 dhe fitoni dhjetëra shpërblime, duke përfshirë një iPhone 6S dhe Samsung Galaxy Note 4.