Beqiri i shqetësuar me mjetet e gjetura në selinë e Vetëvendosjes

Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri, është shprehur tejet i shqetësuar me ato që ka parë, duke iu referuara mjeteve që sot i ka prezantuar Policia e Kosovës, të cilat janë gjetur një ditë më parë në selinë qendrore të Vetëvendosjes.

Lajme

29/11/2015 16:22

Beqiri tha se nuk arrin ta kuptoj se si ka mundësi, që një parti politike të rrëshqasë në këtë nivel, duke e shndërruar selinë e saj në depo mjetesh luftarake, që kanë për synim lëndimin, frikësimin dhe rrezikojnë edhe vrasjen e ndonjë njeriu.

“Nga mediat e pashë se aty qenkan gjetur gazmaska, gazlotsjellës, mjete për shpimin e gomave, shufra metalike, substanca tjera të dyshuara. Kjo është e paimagjinueshme për mua. Si ka mundësi që një parti politike, në vitin 2015, bllokon punën e Kuvendit me mjete të dhunshme, heq dorë nga çdo debat publik dhe zgjedhë mjetet luftarake për të arritur marrjen e pushtetit”, tha Beqiri për Indeksonline.

Sipas tij, kjo qasje është për keqardhje dhe synon të zhys vendin në anarki e kaos, duke shprehur bindjen se qytetarët e Kosovës nuk do të lejojnë një agjendë të tillë.

“Kjo parti politike, kohë më parë ka hequr dorë nga forca e agrumentit dhe po përpiqet që me argumentin e forcës të arrijë pushtetin. Por, për fat të mirë, nuk e ka gjetur dhe nuk do të gjejë kurrë mbështetjen e qytetarëve të Kosovës, i cili me përkushtimin dhe vetëdijen e tij dhe përkahjen e miqve ndërkombëtar, e mposhti regjimin e Millosheviqit, e bëri shtetin e Kosovës dhe po ecën me vendosmëri drejt integrimeve euroatlantike. Ky vend, nuk do të jetë kurrë peng i kauzave revolucionare që synojnë totalisht të kundërtën e aspiratave të popullit të Kosovës”, tha Ismet Beqiri për Indeksonline.