Beqiri: Arrestimi i Osmanit, rast i montuar nga kryeministri (Video)

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, sot në Kuvend, kërkoi nga Qeveria dhe kryeministri Hashim Thaçi,  që të mbajë duart larg organeve të sundimit të ligjit.

Lajme

05/05/2014 12:21

Beqiri vlerësoi se “spektakli” që u bë me urdhërarrestin e deputetit të partisë së tij, Naser Osmani, për rastin “FAN”, ka qenë i montuar nga vet kryeministri, me qëllim që të dëmtoj LDK-në.

“Në shtetet demokratike shprehja sundim i ligjit është parim dhe askush nuk është mbi ligjin, pavarësisht nga pozita në shoqëri”.

“Në vendet në regjimet jodemokratike, siç është Kosova e udhëhequr nga Thaçi, i cili Kosovën është duke e trajtuar si pronë të veten, si trashëgimi që ja ka dhënë baba, duke e shfrytëzuar ligjin për përndjekje selektive, posaçërisht nga radhët e LDK”.

“Fillimi i hetimeve ndaj deputetit Osmani ishte spektakël i motuar, gjegjësisht tentim goditje kundër LDK-së nga kjo Qeveri”.

“Kjo është turp për arsyen e thjeshtë sespe është proces që shihet qartë se është i montuar me dëshirë që të dëmtojë imazhin e LDK-së”, tha Beqiri.

“Grupi ynë parlamentar kërkon nga Kryeministri që të heqin dorë nga organet e drejtësisë, që të mos i përdor këto metoda për qëllime të politikës së tij ditore. Ne si grup parlamentar kërkojmë nga organet e drejtësisë të mos përdoren”.

“Ne kemi qenë dhe jemi për sundim të ligji, për hetime të pavarura, por jo për hetime selektive me qëllime denigruese. Policia të mos e bëj punën e prokurorisë. Kjo nuk ka lidhje me sundimin e ligjit. Ky është turp”.