Beqaj pret mbështetje nga BERZH për hekurudha e energjetike (video)

Sot, një delegacion i Bordit të Drejtorëve të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) po qëndron në Kosovë.

Lajme

23/10/2014 13:56

Ata sot u takuan me ministrin në detyrë të Financave, Besim Beqaj, ku u fol për thellimin e bashkëpunimit si dhe për fushat se ku duhet të fokusohen projektet e përbashkëta.

Gjithashtu Beqaj tha se temë e rëndësishme e këtij takimi ka qenë edhe përfshirja sa më e madhe e BERZH në sektorin privat.

Ministri Beqaj tha se gjatë takimit është folur për gjendjen ekonomike si dhe për projektet me karakter rajonal.

“Më lejoni të ju informojë për takimin që kisha me Bordin e BERZH-it, i cili është për herë të parë në Kosovë. Ne kemi filluar bashkëpunimin tonë të shkëlqyer. Kemi projekte brenda këtij viti. Anëtarët e Bordit janë të interesuar të dinë gjendjen ekonomike, respektivisht potencialin”.

“Sot kemi folur për stabilitetin makroekonomik, për perspektivën ekonomike të vendit, por njëkohësisht edhe për raportet tona në të ardhmen, në fushën e projekteve të karakterit rajonal, duke marrë parasysh hekurudhat, rrugët, sektorin e energjisë”.

“Njëkohësisht kemi diskutuar edhe për një çështje tjetër që BERZH të involvohet edhe më tutje, sa më shumë që të është e mundshme në sektorin privat sepse ideja jonë është që zhvillimi ekonomik dhe krijimi i vendeve të punës dhe mirëqenies të bëhet përmes sektorit privat”.

Ministri Beqaj foli edhe për projektet që tashmë kanë filluar dhe për ato që do të fillojnë, ku veçoi linjën hekurudhore nga kufiri në Maqedoni deri në Fushë Kosovë dhe pjesa tjetër e këtij projekti, vazhdimi nga Fushë Kosova deri në kufi me Serbi.

E ky investim sipas Beqajt do të kushtojë rreth 180 milionë euro.

“Janë dy projekte që deri më tani janë të aprovuara dhe janë duke u realizuar, në kuptimin e përgatitjes së dokumentacionit. Është projekti për linjën hekurudhore nga kufiri me Maqedoninë deri në Fushë Kosovë dhe pastaj do të vazhdojnë edhe dy projekte të tjera, të cilat do të shkojnë deri në kufi me Serbinë, pra në drejtim të veriut”.

“Projekti i cili është në fazën përfundimtare është 90 milionë nga kufiri deri në Fushë Kosovë dhe pjesa tjetër do të jetë gjithashtu rreth 90 milionë”.

“Një projekt tjetër që është duke u përgatitur dhe është në fazat e analizimit është financimi i rrugës nga Kieva në drejtim të Pejës. Ky është bashkëfinancim me Bankën për Investime”.

“Pjesa tjetër e projekteve që jemi duke shikuar janë të fushës së energjisë duke përfshirë dhe projekte që kanë të bëjnë edhe me energjinë e ripërtrishme por njëkohësisht edhe të linjave të interkoneksionit”, tha Beqaj.

Ndërkaq,përfaqësuesi i Bordit të Drejtorëve të BERZH-it deklaroi se ata janë duke u munduar që të gjejnë mënyrat më të mira se si të ndihmojnë në të ardhmen etë Kosovës.