Beqaj, për Fondin e punësimit duhet ndryshuar disa ligje

Fondi për Punësim dhe Zhvillim, që do arrijë vlerën deri në 1.5 miliard euro, do të jetë i destinuar për përkrahjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Lajme

27/04/2014 15:28

(E plotësuar) Fondi për Punësim dhe Zhvillim, që do të arrijë deri në 1.5 miliard euro, do të ketë në fokus avancimin e prodhuesve, eksportuesve si dhe ndërmarrjet e vogla dhe ato të mesme. Megjithëkëtë, për ta themeluar këtë Fond, duhet të ndryshohen disa ligje, si ai i AKP-së dhe Ligji për Trustin e Kursimeve Pensionale, njofton KosovaPress.

Kështu ka thënë ministri i Financave, Besim Beqaj, i cili shtoi se mundësia e financimit cilësor afatgjatë, siç është ky fond, është i nevojshëm për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, pasi sipas tij, këto ndërmarrje nuk kanë ndonjë histori të veçantë për të qenë të trajtuara mirë nga sektori bankar.

“Fondi është i destinuar që ato mjete, që mund të jenë diku 1.5 miliard euro për përkrahjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, gjithmonë duke pasur nevojën dhe duke pasur parasysh mundësinë e financimit cilësor për biznesin tonë… Do të jetë fokus për avancimin e veprimtarive prodhuese dhe eksportuese të Republikës së Kosovës, nuk do të fokusohet vetëm në ndërmarrjet e vogla, nuk do fokusohet vetëm tek ndërmarrësit e rinj, por edhe tek ndërmarrjet e mesme, të cilat kanë nevojë për zgjerim të kapaciteteve të tyre, por edhe tek korporatat të cilat kanë gjasa të hyjnë në tregun e vet jo vetëm të Kosovës, por edhe rajonal e më gjerë”.

Ai tha se një pjesë e mjeteve të privatizimit që janë jashtë vendit, si dhe ato të Trustit të Kursimeve Pensionale, mund të kthehen në vend dhe të themelohet Fondi, nëse ligjet e tyre arrijnë të ndryshohen.

“Sipas gjitha gjasave duhet të ndryshohet ligji për AKP-në dhe ligji për Trustin, por edhe ligje të tjera që do të mundësojnë krijimin e fondeve. Tani zyra ligjore e zyrës së Ministrisë së Financave dhe mekanizma tjerë institucionalë janë duke analizuar këto mekanizma se sa duhet të ndërhyhet në ligje, duhet të kuptohemi se nuk duhet ndërhyrje shumë e fuqishme në ligje, sepse ligjet janë të harmonizuara mirë me rregullat e BE, por duhet vetëm modifikime të lehta që në asnjë rrethanë nuk e rrezikojnë asnjë prej këtyre fondeve… ..Është plasuar se tani po merren paratë nga Trusti dhe po jepen diku tjetër, jo janë norma të fondeve të investimeve, të kuptojmë se Trusti është fond investiv dhe fondet investive janë të parapara për të investuar, por jo për të investuar në mënyrë të drejtpërdrejt në projekte, por përmes ndërmjetësuesve dhe ne në vend që këta ndërmjetësues të jenë jashtë vendit, dëshirojmë që ta kemi fondin zhvillimor si ndërmjetësues”, tha Beqaj.

“Deri më tani ka qenë e vështirë të kthehen këto mjete për shkak se nismat që janë marrë kanë qenë në një formë të bllokuara nga institucionet ndërkombëtare që i kemi pasur këtu. Tani mundësia ekziston, Kosova ka mundësi të bëjë ndryshimin e legjislacionit dhe t’i kthejë këto mjete në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit”.

Ai tha se fondi zhvillimor nuk e ka natyrën e njëjtë sikur të bankave komerciale, por ky fond ka për qëllim grumbullimin e mjeteve, futjen në sistem të prodhimit dhe rritjen e funksionimit të atyre mjeteve përmes aktiviteteve ekonomike në vend.

Kështu ka thënë ministri i Financave, Besim Beqaj, sipas të cilit mjetet materiale që janë jashtë vendit dhe që arrijnë deri në 2 miliardë euro, duhet të rikthehen në Kosovë dhe të hyjnë në funksion të zhvillimit ekonomik, raporton KosovaPress.