Beqaj: Në Kosovë ekonomia klasike po zëvendësohet me atë digjitale

Qeveria e re e kryeministrit, Ramush Haradinaj ka shtuar edhe një ministri të re, Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.

Lajme

17/06/2018 23:10

Ministria e këtij dikasteri është duke u udhëhequr nga Besim Beqaj i PDK-së. Në një intervistë për lajmi.net ai ka thënë se po ndjek trendet botërore të zhvillimit ekonomik duke theksuar se kjo Ministri punon që ekonominë klasike të Kosovës ta zëvendësojë me ekonomi digjitale.

“Kemi një koncept të ri të definimit ekonomik në Kosovë duke shkuar drejt shfrytëzimit të njohurive dhe shkathtësive të njerëzve përmes informacioneve edhe ekonomisë digjitale të cilat gjithandej nëpër botë po e zëvendësojnë ekonominë klasike e cila është e bazuar mbi bazën e resurseve natyrore”, ka thënë Beqaj.

Sa i përket çështjes se zëvendësimi i resurseve humane me teknologji është shkak që njerëzit po largohen nga puna, Beqaj ka thënë se vendet e punës nuk po shkurtohen por njerëzit po kalojnë në sektorë të rinj, e që sipas tij problemi qëndron te kualifikimet që kërkojnë këta sektorë.

Intervista e plotë:

Lajmi.net: Duke pasur parasysh se teknologjia informative ka funksionuar në kuadër të tri ministrive, pse ka qenë i nevojshëm krijimi i Ministrisë së Inovacionit në Kosovë?

Besim Beqaj: Inovacioni është e ardhmja, është konstatim që po ndodh gjithandej. Konstatim tjetër është se asnjë shtet nuk mund ta bëj këtë punë vet në këtë drejtim. Kërkohet bashkëpunim mes shteteve në fushën e legjislacionit, në fushën e oportunitetit, në fushën e eliminimit të barrierave që lidhen me teknologjinë informative dhe inovacionin që lidhet me ndërmarrësin.

Unë kam thënë edhe më herët publikisht në disa takime se në jemi duke menduar qetë, kemi një koncept të ri të definimit ekonomik në Kosovë duke shkuar drejt shfrytëzimit të njohurive dhe shkathtësive të njerëzve përmes informacioneve edhe ekonomisë digjitale të cilat gjithandej nëpër botë po e zëvendësojnë ekonominë klasike e cila është e bazuar mbi bazën e resurseve natyrore.

Me këtë koncept rinia e Kosovës ka lëvizur shumë më shpejt se institucionet dhe ideja për ta themeluar Ministrinë ka qenë që të iu përgjigjemi ndryshimeve që po ndodhin në botë, të cilat njëherit po cilësohen si revolucioni i katërt.

Lajmi.net: Sa po shprehet interesim nga ana e të rinjve në sektorin e inovacionit?

Besim Beqaj: Në bazë të gjitha komunikimeve që kemi pasur me të rinjtë, ka potencial jashtëzakonisht të madh. Është shprehur interesim nga rinia, gjithashtu edhe nga gratë të cilat janë në biznes për tu futur në botën e ekonomisë digjitale përmes inovacioneve dhe shfrytëzimit të teknologjisë informative për qëllime ekonomike.

Lajmi.net: Sa ka potencial të zhvillimit Kosova në këtë sektor dhe si do të konkurrojmë në tregun ndërkombëtar?

Besim Beqaj: Kosova të vetmin sektor që e ka me bilanc pozitiv është teknologjia informative dhe shërbimet në teknologjinë informative. Në këtë drejtim kemi potencial dhe jemi të interesuar që të bashkëpunojmë të gjejmë rrugë sa më shumë për ndërmarrjet tona, për të rinjtë tanë, për gratë të cilat me shumë përkushtim po merren në këtë fushë.

Nëse kemi konkurrent në tregje ndërkombëtare duhet të kemi dije, teknologji, ide dhe gjithmonë  veprime inovative të njerëzve. Fatmirësisht shumë të rinj kanë filluar start up-e pa ndonjë përkrahje të fuqishme të institucioneve po marrin hapësirë në Evropë dhe më gjerë. Mbi këtë bazë besoj që teknologjia informative, ekonomia digjitale dhe shfrytëzimi i ndërmarrësive në shërbime me funksion të rritjes së vlerës ekonomike për produkte ekzistuese do të jetë potencial më i madh i Kosovës.

Lajmi.net: Cilat janë përparësitë dhe potenciali i Kosovës për tërheqjen e investimeve të huaja në sektorin e Inovacionit?

Besim Beqaj: Investitorët e huaj janë shumë të interesuar të nuhasin potencialin njerëzor, Kosova ka potencial njerëzor. Çështja e dytë që ju intereson investitorëve të huaj janë procedurat e shkurta burokratike, dhe nga krejt komunikimet që kam pasur së fundmi mund të them që Kosova radhitet në vendet më procedurat më të shkurta në kuptimin burokratik dhe të marrjes së vendimeve. Ajo çka ne po tentojmë është të zhvillojmë një sektor të caktuar, të identifikojmë cili është ai sektor dhe të hyjmë në funksion të industrive të mëdha. Shembull, ne nuk pretendojmë që të bëjmë industri automobilistike por tentojmë të kemi programe të cilat hyjnë në funksion të ndërtimit të veturave autonome.

Lajmi.net: A ka interesim nga ndërkombëtarët që të bëjnë marrëveshje me Kosovën në këtë fushë?

Besim Beqaj: Unë sapo jam kthyer nga Hanoveri, ku pata rast të marr pjesë në hapjen zyrtare të CEBIT, CEBIT është një nga panairet më të mëdha në botë sa i përket fushës së teknologjisë informative. Në Hanover kam pasur shumë takime bilaterale me shumë ministra të rajonit. Një rast më konkret është takimi me Ministrin e Administratës Publike të Sllovenisë, i cili parimisht na ka ftuar hapur që të bashkëpunojmë kundrejt fushës së promovimit të inovacionit dhe të krijojmë një drejtim të fokusuar.

Vendimi i qeverisë për Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren i cili do të emërohet si Parku Gjermano-Kosovar, do të jetë në funksion që të faktorizojë Kosovën ne nivel rajonal dhe më gjerë.

Lajmi.net: Digjitalizimi i mjeteve të punës po i frikëson njerëzit për largim nga puna, si e komentoni ju këtë?

Besim Beqaj: Fusha e teknologjisë informative dhe e shërbimeve të saj është e ardhmja. Normalisht ka shumë njerëz skeptik në këtë sferë prej atyre që po e vlerësojnë se teknologjia po shkurton vendet e punës. Konstatimi që kam pasur nga gjitha takimet është se shkurtohen vendet e punës por dallojnë nëse çfarë vende pune po shkurtohen. Jo që ka vende pune më pak po ka sektor të ndryshëm dhe vende pune dhe vendet e punës që po kalojnë nga ato që kanë qenë me standarde me përgatitje të madhe shkollore në vende inovative, në vende më përgatitje shkollore me potencial human të cilat realisht ngrisin peshën ekonomike të vendit.

Pra ne kemi një shans duhet ta shfrytëzojmë përmes zhvillimit të potencialit njerëzor dhe përkrahjes institucionale dhe financiare që vijnë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Në këtë drejtim jam shumë optimist. /L.Arifi/Lajmi.net/