Beqaj: Autostrada që lidh Maqedoninë me Kosovën do të rrisë bashkëpunimin ekonomik në mes të dy vendeve

Ministri i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë Besim Beqaj ka qëndruar për vizitë zyrtare në Shkup ku ka pasur një varg takimesh të rëndësishme. Ministri Beqaj është pritur në një takim të përzemërt nga Ministri i Ekonomisë së Maqedonisë Kreshnik Bekteshi, me të cilin ka bashkëbiseduar në lidhje me bashkëpunimin bilateral në fushën e zhvillimit ekonomik, të shkëmbimeve tregtare në mes të dy vendeve, mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, si dhe për iniciativën për marrëveshje të bashkëpunimit në fushën e Inovacionit dhe ndërmarrësisë.

Lajme

15/02/2018 11:00

 

Pas takimit me Ministrin Bekteshi, Ministri Beqaj ka thënë se Kosova dhe Maqedonia kanë raporte të mira ekonomike, për avancimin e të cilave infrastruktura luan rol shumë të rëndësishëm. Ministri Beqaj tha se shpreson që edhe Maqedonia do të lëvizë shpejt në drejtim të ndërtimit të autostradës që lidh të dy vendet, pasi pala kosovare po lëviz shpejt në drejtim të përfundimit të autostradës deri në kufi.

“Kosova është duke bërë një investim të madh që do t’i ndihmojë edhe Maqedonisë dhe shpresoj që edhe Maqedonia të ketë qartësi ekonomike dhe politikë që të përfundojë këtë rrugë sa më shpejtë, sepse nga momenti kur rruga ka shkuar në tjera drejtime, ka pasur efekte negative në këmbimet tona tregtare”, tha Ministri Beqaj.

Ndërsa Ministri Bekteshi ka shprehu kënaqësinë e tij për pritjen e Ministrit Beqaj duke theksuar nevojën e thellimit të bashkëpunimit ekonomik në mes të dy vendeve.

“Kolegut Beqaj, i cili kryeson resorin e inovacionit dhe ndërmarrësisë, i prezantova masat e planit për rritje ekonomike të qeverisë sonë, e cila përcakton prioritetet kryesore të politikave për periudhën e ardhshme dhe që pritet të rrisin investimet private, krijimin e vendeve të punës, rritjen e efikasitetit, produktivitetit dhe konkurrencës së sektorit privat, rritjen e eksporteve dhe bashkëpunimit ekonomik rajonal, si dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve”, tha ministri Bekteshi pas takimit.

Të dy ministrat në takim kanë bashkëbiseduar edhe për mbledhjen e përbashkët të dy qeverive dhe për mundësinë inicimin të marrëveshjes në fushën e inovacionit dhe ndërmarrësisë.

Ministri Beqaj gjatë qëndrimit në Maqedoni është takuar edhe me drejtorin e Bankës Botërore për Maqedoni dhe Kosovë Marko Mantovanelli, me të cilin ka bashkëbiseduar në lidhje me mundësinë e përkrahjes nga Banka Botërore për Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.

Gjithashtu Ministri Beqaj ka vizituar edhe Qendrën e Inovacionit në Shkup ku është njoftuar me punën e saj, me qëllim të marrjes së praktikave të mira të funksionimit, si dhe eksperiencën në ndarjen e fondeve. Prezantimin e punës së Qendrës së Inovacionit në Shkup, para ministrit  Beqaj e ka bërë drejtori i kësaj qendre Jovan Despotovski.