Beqaj akuzon komunat për keqmenaxhim të buxhetit

Ministri i Financave Besim Beqaj është shprehur i pakënaqur me menaxhimin e të hyrave vetanake nga niveli komunal. Ai ka thënë se transferimi i të hyrave nga viti në vit, paraqet keqmenaxhim të parasë së qytetarëve.

Lajme

03/12/2014 13:41

Ministri i Financave Besim Beqaj ka kërkuar sot nga kryetarët e komunave që mos t’i transferojnë të hyrat vetanake nga viti në vit. Kjo sipas tij, paraqet keq menaxhim të parasë së qytetarëve.

Vite me radhë komunat e Kosovës nuk kanë arritur që të shpenzojnë të hyrat vetanake, e sipas Beqajt, kjo ndodhë pa arsye.

“Pra nuk ka logjikë që të hyrat vetanake të transferohen nga viti në vit. Mund të transferohen në kushte normale në vitin tjetër, e jo të barten nga 2-3 vjet vazhdimisht sepse paraqet menaxhim jo të mirë të parasë publike”.

Këto komente ministri Beqaj i bëri gjatë prezantimit të parë nga Zyra e Auditorit, të performancës së Komunave me të dhëna krahasuese ndërmjet tyre. Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi tha se do ta shqyrtojnë raportin me kolegjiume profesionale.

Ai tha se komunat që dallohen për punë dhe performancë të mirë të shpërblehen me grante.

“Vlerësojmë që do të ishte shumë mirë që nëse komunat dallohen për punën dhe performancën e saj atëherë të ketë një grand stimulues i cili nuk do të shfrytëzohej në kuptimin për implementimin e projekteve madhore komunale, por do të shfrytëzohej për ngritjen e kapaciteteve apo shkëmbimin e përvojave nga një komunë në komunat e tjera”, tha Beqaj.