Beogradi s’duhet të përzihet

Eurodeputeti Jelko Kacin thotë se nuk është në frymën e Marrëveshjes së Brukselit që shteti i Serbisë ta mbështesë një Listë. Sipas tij, kjo duket si vazhdim i përkrahjes për të ashtuquajturat struktura paralele, vetëm se në formë tjetër.

Lajme

13/10/2013 10:44

Raportuesi i Parlamentit Europian për Serbinë, Jelko Kacin, thotë se liderët e Serbisë do të duhej të angazhoheshin në daljen sa më të madhe të serbëve në zgjedhjet lokale në Kosovë më 3 nëntor, por jo të përfshihen në fushatën parazgjedhore të listave të ndryshme.

Eurodeputeti  Kacin,  në një intervistën për gazetën Dnevnik të Novi Sadit, ka thënë se nuk është në frymën e Marrëveshjes së 19 Prillit në mes të Kosovës dhe Serbisë, që kjo e fundit ta mbështesë një subjekt të caktuar politik në zgjedhjet lokale të nëntorit, transmeton Evropa e Lirë.

“U takon zgjedhësve që të vendosin se cilën Listë do ta mbështesin”.

“Nuk është në frymën e Marrëveshjes së Brukselit që shteti i Serbisë ta mbështesë një listë, pasi kjo duket si vazhdim i përkrahjes për të ashtuquajturat struktura paralele, por tash në formë tjetër”.

Kacin ka folur edhe për konferencën ndërqeveritare  Bashkimi Europian – Serbia, e cila, sipas tij, mund të mbahet në muajin dhjetor, nëse Beogradi i përkushtohet zbatimit të Marrëveshjes me Prishtinën, e veçanërisht për zgjedhjet lokale në Kosovë.