Beogradi habitet që shqiptarët do të kërkojnë dëmshpërblime lufte

Prishtina ka përgatitur listën e kërkesave në prag të fillimit të fazës së re të dialogut. Ata duan pjesë të ndërmarrjeve tona, kazerma dhe ambasada të ish RSFJ-së, shkruan gazeta serbe Novosti. 

Lajme

03/02/2015 23:58

Këto kërkesa si dhe çështjen e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare shqiptarët do t’i vendosin në tryezë në vazhdim të dialogut në Bruksel, me çka praktikisht ata do të mund t’i sillnin në pozicion pat këtë dialog. Sepse, si vlerëson kjo gazetë serbe, edhe vet diskutimi për këto tema do të thoshte praktikisht njohje e shtetësisë së Kosovës, gjë që Serbia nuk e pranon.

Përveç kësaj, pala shqiptare përpiqet të vështirësojë edhe marrëveshjen rreth Bashkësisë së komunave serbe, në mënyrë që Beogradi në ndërkohë të kushtëzohet me lëshim pe edhe në fusha tjera – pozita e KOS dhe garancitë për kthimin e të zhvendosurve.

Si dëme lufte, si transmeton Fatmir Sheholli për gazetën serbe, Prishtina nënkupton kompensimin  për 127,000 shtëpi të shkatërruara gjatë luftës, për pasurinë që ka qenë pronë shoqërore e që i kanë shkatërruar forcat serbe, si dhe kompensimin për familjet të cilave u janë vrarë familjarët. Prishtina kërkon edhe kthimin e pensioneve të shqiptarëve, kurse nga procesi i sukcesionit pret të marrë edhe një pjesë të thesarit të ish-RSFJ, si dhe objekte ushtarake e diplomatike të ish-shtetit, tha Sheholli    

Sipas tij, këto kërkesa nuk mund të zgjidhen shpejt dhe nëse do të bëheshin pjesë e dialogut të Brukselit, ky proces do të mund të zgjatej edhe një dekadë të plotë.

“Dialogu për normalizimin duhet të jetë i afatizuar, kështu që, sipas pikëpamjeve të mia, këto tema duhet të mbeten për arbitrazhin ndërkombëtar, tha Sheholli.

Se cilat tema dhe kur do të arrijnë këto tema në tryezën e bisedimeve do të varet shumë edhe nga ndërmjetësja në dialog, përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme, Federica Mogherini, tha analisti serb Dushan Janjiq, duke shtuar se BE-ja ka kërkuar nga Serbia “epokë të re të raporteve” me Kosovën.