Benjamin Button dhe Shteti i Kosovës

Kur u lind, kur u shpall, shteti i Kosovës, shtatë vjet më parë, ne ishim më të pjekur, më të mençur, më të matur, më të mirë se sa që jemi sot.

Opinion

19/02/2015 12:32

E dini: Numri shtatë ka një veçori dhe një cilësi në legjenda. Edhe në ato shqiptare.
E kuptuam: Numri shtatë nuk pati kurrfarë domethënie të posaçme, në realitetin kosovar të 17 shkurtit. Në ditën kur shënuam ngathtë, pa kurrfarë kreativiteti, kot madje, lodhshëm disi, përvjetorin e pavarësisë. Në atë stilin e kryerjes së një detyrimi.

Nuk ka këndejpari vullnet, disponim, as dije  (madje), për ta bërë ndryshe këtë festim. Për tu marrë me të gjitha arritjet, sukseset, por edhe gabimet dhe dështimet që kanë ndodhur në shtetin e Kosovës që nga ai 17 shkurti i vitit 2008.

Në një ditë si kjo, mbase, do të duhej të prezantohej një lloj i ‘Raportit të Progresit’, të cilin do ta bënim ne vetë pra, për 12 muajt e kaluar në shtetin dhe në shoqërinë kosovare.
Do të mund të bëhej ky një Akt (a veprim) tradicional.

Do të duhej pastaj sa më parë që është e mundur, në muajt e ardhshëm, të krijohet një Këshill i Veçantë Organizativ, i cili në përbërjen e tij do të ishte bashkim i legjitimitetit dhe kreativitetit, që do të kishte një mandat trevjeçarë për përgatitjen e kremtimit të Ditës së Pavarësisë tash e tutje, me një synim të posaçëm për shënimin e dhjetëvjetorit të ekzistimit të shtetit të Kosovës, me 17 shkurt të vitit 2018.

Një vlerë e përbashkët politike që do të duhej të ishte si Top 1, si prioritet absolut politik, do të duhej të ishte që Kosova, atë 17 shkurt (të vitit 2018), ta pret si shtet me anëtarësi të plotë në OKB: Me flamurin e saj që do të valëvitej në East River, në New York, në selinë e OKB-së.

Diçka e tillë është e arritshme. Dihet se çka do të duhej të bëhej në ndërkohë nga politika kosovare që atë ditë, Kosova ta pret me ulësen në OKB.

Poashtu, nëse qysh tash do të nisnim të bënim bashkë idetë dhe propozimet e duhura dhe të mençura për anën artistike dhe kulturore të shënimit të Një Dekade të ekzistimit të shtetit të Kosovës, nuk do të ishte aq vështirë që me atë 17 shkurtin e vitit 2018, të bënim një ngjarje madhore politike dhe kulturore në Kosovë.

Këtu, gjithsesi do të duhej të ftonim të gjithë ata politikanë, diplomatë, intelektualë perëndimorë që na ndihmuan aq shumë në rrugëtimin kah çlirimi dhe pavarësia e Kosovës.

Dhe kështu me radhë. Janë këto vetëm disa ide a propozime.

Ka shumë punë për tu bërë tash e tutje në shtetin e Kosovës. Bërja e shtetit, para shtatë viteve ka qenë hapi i mbramë i një Lëvizje politike për pavarësimin e Kosovës. Dhe ka qenë, realisht, hapi i parë, më i madhi, gjithsesi, në dyzimin e këtij shteti me ndryshimin rrënjësor të shoqërisë kosovare dhe të jetës së qytetarëve të këtij vendi.

Kjo nuk ka ndodhur. Fajtorët janë të shumtë. Dhe fare të paktë janë ata që duan të gjejnë udhën që Kosova, si shtet, si shoqëri, të ecën përpara, pa qenë e detyruar që sërish të përballet me një dështim të përmasave të një katastrofe natyrore.

Andej, zaten, ia kem mësy ne. Dhe jemi goxha të vyeshëm në këtë aspekt. Po punojmë madje, me të madhe, që sa më parë që është e mundur të mbërrimë në stadin e përplasjes.
Me pasojat e saj, do të merremi më vonë.

Ka të ngjarë që ky rrëfimi për shtatëvjetorin e shtetit të Kosovës, t’i përngjet, natyrisht, jo në të gjithë përbërësit e vet, por në atë idenë kryesore, kallëzimit të filmit ‘The curious case of Benjamin Button’, të regjisorit David Fincher, me kryeprotagonist aktorin e njohur Brad Pitt.

Benjamin Button lind si plak, dhe duke jetuar, përtërihet, dhe vdes si foshnje.
Pra, ai bënë një jetë fare të kundërt me atë të rëndomtën, të secilit njeri.

Kur u lind, kur u shpall, shteti i Kosovës, shtatë vjet më parë, ne ishim më të pjekur, më të mençur, më të matur, më të mirë. Madje.

E dinim fare mirë se çka duhet bërë tash e tutje me veten, me Kosovën.
Duke kaluar vitet, në vend se të rritemi, të zhvillohemi, të ndreqemi tutje, me ne ka ndodhë e kundërta. Po zvogëlohemi, po tkurremi, po bëhemi të mbrapshtë.
Dhe po mendojmë se kinse e dimë çka duhet bërë me veten dhe me Kosovën.