Benfica s’e meritoi finalen

Antonio Conte insiston se Benfica nuk e meritoi finalen e Europa League. Gjithashtu, trajneri i Juventusit është ankuar në gjyqtarin e ndeshjes, pas eliminimit të skuadrës së tij në gjysmëfinale.

Sport

02/05/2014 01:03

Antonio Conte ka qenë mjaft i ashpër në deklaratat e tij. Trajneri italian insiston se Benfica nuk e meritoi kualifikimin në finale të Europa League, ndërsa është ankuar edhe në gjyqtarin e ndeshjes, për eliminimin e Juventusit në gjysmëfinale të këtij kompeticioni.

“Ekipi që e meritoi më pak finalen, i kualifikua”, deklaroi fillimisht trajneri italian për Sky Sport Italia.

“Është mëkat, pasi Benfica i pati vetëm dy gjuajtje në portë në dy ndeshje dhe shkoi përpara. Pas dy ndeshjeve, Juventusi sigurisht që e meritoi të shkonte në finale”, vazhdoi Conte.

Sipas tij, gjyqtari Mark Clattenburg i lejoi portugezët të luanin në mënyrë aspak sportive, duke u shtrirë në fushë shpesh dhe duke e vonuar lojën. Sidoqoftë, ai është krenar me ekipin e tij.