Bender humb Botërorin

Gjermania ka humbur një mesfushor të rëndësishëm. Ylli i Bayer Leverkusenit, Lars Bender ka pësuar një lëndim në stërvitje dhe është tërhequr nga ekipi, për Kampionatin botëror në Brazil.

Sport

23/05/2014 14:04

Selektori i Gjermanisë, Joachim Low ka humbur shërbimet e Lars Bender për Kampionatin botëror pasi ai u tërhoq nga ekipi për shkak të një lëndimi në kofshë.

25-vjeçari ishte përfaqësuesi i vetëm i Bayer Leverkusenit në ekipin e gjerë prej 30 futbollistëve të Gjermanisë, por nuk do të jetë pjesë e skuadrës në Brazil, për shkak të një dëmtimi që pësoi në stërvitje.

Low nuk ka vendosur të ftojë një zëvendësues për yllin e Leverkusenit.

“Nëse dikush është i detyruar të tërhiqet nga ekipi kaq pak kohë para fillimit të garës, është gjithmonë dëshpërim i madh për të gjithë të përfshirët”, deklaroi Low.

“Më vjen shumë keq për Lars sepse e di se ishte i vendosur që të paraqitej në Brazil. Ai është një shembull që duhet të përcillet nga të gjithë”.

Bender debutoi me Gjermaninë në shtator 2011 dhe ishte pjesë e ekipit që arriti deri në gjysmëfinale të Euro 2012.

Gjermania takohet me Portugalinë, Ganën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Grupin G të Botërorit 2014 në Brazil.