Benatia nuk është në shitje

Mehdia Benatia nuk do të transferohet në Barcelonë. Trajneri i Romës, Rudi Garcia ka insistuar se klubi nga Olimpico nuk ka nevojë të shesë gjatë afatit kalimtar të verës.

Sport

23/05/2014 10:47

Trajneri i Romës, Rudi Garcia ka theksuar se nuk do të lejojë largimin e qendërmbrojtësit Mehdi Benatia, gjatë afatit kalimtar të verës, pavarësisht spekulimeve të vazhdueshme rreth transferimit të tij në Barcelonë.

Benatia, 27-vjeç, iu bashkua Giallorossëve në verën e vitit të kaluar pas tri edicionesh në Udinese, por me paraqitjet e tij i ka ndihmuar Romës të përfundojë e dyta në tabelë.

Sipas Gazzetta dello Sport, menaxheri i futbollistit pritet të udhëtojë drejt Barcelonës për të negociuar transferimin e tij për një vlerë prej mes 30-35 milionë euro.

Por, Garcia ka thyer heshtjen duke përjashtuar mundësinë e largimit të Benatias.

“Vitin e kaluar ne shitëm 50 milionë euro vlerë të futbollistëve, këtë verë nuk jemi në një pozitë ku kemi nevojë të shesim”, deklaroi Garcia për Sport Mediaset.