Bën vetëvrasje shqiptari i dyshuar për pjesëmarrje në Masakrën e Mejës

Sipas burimeve të lajmi.net, M. Abazi, shqiptari që ishte i dyshuar për pjesëmarrje në Masakrën e Mejës, ka bërë vetëvrasje në qendrën e paraburgimit në Pejë.

Lajme

13/08/2014 10:50

“I dyshuari ishte arrestuar më 22 korrik 2014 nga Policia e Kosovës, në pikën kufitare në Kullë, derisa po udhëtonte drejt Malit të Zi, vetëvrasjen e ka kryer të mërkurën në mëngjes”, ka thënë për lajmi.net ky burim zyrtar

Abazi dyshohej se ka operuar si pjesëtarë i të ashtuquajturës polici lokale të organeve të atëhershme të Serbisë, i cili së bashku me pjesëtarë të forcave ushtarake dhe policore serbe vranë dhe zhdukën qindra civilë shqiptarë të pafajshëm, ndër ta edhe shumë pleq, plaka dhe fëmijë.  

Pas arrestimit të Abazit më 22 korrik, një gjyqtar i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore të Gjakovës, i miratoi kërkesat e Prokurorisë dhe ia caktoi masën e paraburgimit për një periudhë prej një muaji, deri më 22 gusht 2014.

I pandehuri dyshohej për kryerjen e veprës penale të Krimeve të Luftës kundër Popullatës Civile, duke ju ndihmuar kryerësve të një sulmi të organizuar mirë kundër popullatës civile shqiptare në Luginën e Rekës.

“Me këtë rast, civilët i ishin nënshtruar qëllimisht vrasjes, torturës, trajtimit çnjerëzor, vuajtjes së madhe, largimit dhe zhvendosjes, masave të frikësimit dhe të terrorit, ndëshkimit kolektiv, konfiskimit të pasurisë, grabitjes dhe vjedhjes së pasurisë në shkallë të madhe që nuk arsyetohet nga nevoja ushtarake”, thuhej në një kumtesë të EULEX-it.

EULEX-i, vitin e kaluar i ka filluar zyrtarisht hetimet për rreth 20 persona të dyshuar lidhur me masakrën e Mejës, ndërsa me ‘rastin Abazi’ po merrej Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Më 27 prill të vitit 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe masakruan dhe më pas i zhdukën trupat e 377 civilëve shqiptarë.

Shumica e trupave janë gjetur nëpër varrezat masive në Serbi, janë identifikuar dhe varrosur në “Lëndinën e Pikëllimit”.