Belgjika feston për Januzajn

Adnan Januzaj e ka bërë të lumtur krejt Belgjikën. Mesfushori kosovar vendosi ta përfaqësojë këtë vend në karrierën e tij. Legjenda belge Jan Ceulemans e konsideron këtë lajm historik dhe e sheh 19 vjeçarin si të ardhme të ndritshme të përfaqësueses belge.

Sport

24/04/2014 12:26

Belgjika është në festë. Adnan Januzaj ka zgjedhur ta përfaqësojë këtë vend në karrierën e tij ndërkombëtare, duke i dhënë fund spekulimeve se mund të luajë për Anglinë apo Shqipërinë.

Këto momente po i shijon edhe Jan Ceulemans, i cili e mban rekordin e paraqitjeve me Përfaqësuesen e Belgjikës.

“Është një gjë e mrekullueshme që një talent aq i madh e zgjedh Belgjikën. Djelmoshat si Januzaj janë e ardhmja e ekipit tonë kombëtar dhe me këtë rast jemi të sigurt për të ardhmen”, deklaroi legjenda e futbollit belg për Voetbalkrant.com.

Ky i fundit është i bindur se 19 vjeçari e zgjodhi Belgjikën në momentin e duhur, pikërisht më pak se dy muaj para fillimit të Kampionatit Botëror ‘Brazil 2014’.

“Jam i bindur se Belgjika dhe Anglia ishin zgjedhjet më të mira për Januzajn. Tash atij duhet t’i jepet minutazh sa më shumë. Në të kundërtën, zgjedhja e tij nuk do të thoshte asgjë. Ai duhet të adaptohet dhe të ftohet në Botëror, si startues apo rezervist”, përfundoi Ceulemans.