Bëhuni fer, mos mashtroni

Ambasadori Britanik, Ian Cliff, porosit qytetarët të votojnë, e partitë të zhvillojnë garë fer. Thotë se mashtrimet në zgjedhje çojnë në një qeverisje jostabile. “Demokracia në Veprim” do t’i vëzhgojë zgjedhjet me 800 vëzhgues në mbarë Kosovën.

Lajme

02/10/2013 13:45

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ian Cliff, ka porositur për zgjedhje të rregullta në Kosovë, një ditë para se subjektet politike të fillojnë fushatën për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.

Në një konferencë të organizuar nga koalicioni vendor i vëzhguesve “Demokracia në Veprim”, Ambasadori Cliff është shprehur se ndërkombëtarët nuk do të ndërhyjnë në proces.

“Mashtrimet në zgjedhje çojnë në një qeverisje jostabile. Vendi im do t’i mbështesë këto zgjedhje dhe ka një mesazh për qytetarët. Vota juaj do të numërohet, votoni, bojkotimi nuk çon askund. Raportoni çdo kërcënim. Ndërsa partitë politike duhet të zhvillojnë një garë fer. Nëse nuk ka demokraci, nuk ka as Bashkim Europian.”

“Synimi ynë është që të mos interferojmë në këtë proces, në aspektin se kush duhet të fitojë, po këto zgjedhje duhet të jenë të lira dhe demokratike, sepse kjo është rruga e vetme drejt integrimeve europiane. Ne do të mbështesim këtë proces demokratik.”

Ndërkaq Ambasadori i Norvegjisë, Jan Braathu, u shpreh se dalja në votim është përgjegjësi dhe detyrë qytetare.

“Votimi është përgjegjësi dhe detyrë qytetare. Qytetarët duhet të jenë vigjilentë, të vëzhgojnë dhe të raportojnë çdo incident”.

“Rezultatet do të ndikojnë në ju dhe në jetën tuaj. Sistemi s’funksionon nëse qytetarët nuk marrin pjesë në zgjedhje”.

Për zgjedhjet e 3 nëntorit, “Demokracia në Veprim” ka angazhuar 800 koordinatorë në të gjitha komunat të cilat do ta monitorojnë procesin e votimit më 3 nëntor. Gjiashtu, ky koalicion ka paralajëmruar publikimin e rezultatit paraprak të zgjedhjeve në tetë komuna të Kosovës.

“Këto janë zgjedhjet më sfiduese në aspketin e organizimit, pasi do të mbahen në tërë territorin e Kosovës. Ne do të bashkëpunojmë me organizatat në veri, që kryesisht janë organizata të komunitetit serb, organizata që kanë plotësuar kushtet për monitorim”, ka thënë Petrit Zogaj nga ky koalicion.

Sipas tij, mosmiratimi i reformës zgjedhore nuk duhet të jetë arsyetim për ndonjë manipulim eventual sepse “duhet respektohen ligjet në fuqi e nuk duhet amnistohet manipulimi”.