Bëhu burrë dhe kthema Erionin!

Pranvera Abazi - Zena, nëna e fëmijës tetë vjeçar, i është drejtuar me një letër të hapur burrit të saj që t’ia kthejë djalin Erionin, të cilit i ati e ka marrë me vete në Siri për t’iu bashkuar luftëtarëve atje, pa lejen e saj.

Lajme

01/09/2014 10:43

Në disa fotografi të publikuara, djaloshi shihet në Siri në shoqërinë e luftëtarëve të organizatës terroriste “Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë” (ISIS), dhe me flamurin e “Shtetit Islamik” (IS).

Pranvera, me rastin e 1 Shtatorit – ditës së parë të fillimit të vitit të ri shkollor, i është drejtuar burrit të saj, Arbenit, që të bëhet burrë dhe t’ia kthejë djalin.  

Lexojeni letrën e plotë që Pranvera ia dërgon burrit të saj me lutje që t’ia kthejë djalin nga Siria, të cilën e ka postuar në faqen e Facebook-ut “Na ktheni djalin”

Letër e hapur Arbenit,

Po të drejtohem ty dhe askujt tjetër me këtë letër të hapur. Arben sot është 1 Shtatori, ditë e Hënë, ora 8 në mëngjes, sot këtu është dita e parë e shkollës. E sot Erioni do të duhej të vazhdonte klasën e III-të. Të takohej me të gjithë shokët e shoqet që jam e bindur se i kanë munguar gjatë gjithë kësaj kohe e i mungojnë edhe sot. Me çantën e mbushur plotë me libra e fletore të reja, sot unë apo edhe ti do të duhej ta dërgonim Erionin në Shkollë, duke parë fytyrën e tij të gëzuar dhe plotë hare se do ta takoj shoqërinë e klasës pas disa muajve të pushimit.

Në cilën shkollë shkon tash Erioni, Arben?

Në ndonjë shkollë të improvizuar, shkollë të ndonjë kampi refugjatësh, apo nuk do të shkoj fare në shkollë. Edhe nëse shkon çka do të mësoj aty, për luftërat, për armët, për tanket si në atë fotografi, për fenë islame, për zotin, për xhihad…….mendon se Erioni do t’i kuptoj të gjitha këto!

Si është e mundur Arben, lojërat dhe fotografit mbi tanke të jenë më të mira se lojërat dhe fotografitë në Shkollë? Si është e mundur Arben, mësimet për luftëra, tanke dhe xhihad, të jenë më të mira se mësimet për kafshët, natyrën, për sport e për art, çka do të mësojnë shokët dhe shoqet e Erionit në klasën e III-të!

Erioni në ditën e parë të shkollës do t’i gëzohej shumë edhe teshave të reja që do t’ia blenim. Në bazë të fotografive Erioni kishte veshur një bluzë ushtarake. E din Erioni se kush i vesh bluzat dhe uniformat ushtarake, Arben? Po, po, e dinë, me zgjuarsinë e tij dhe inteligjencën po, por a do ta arrijë ta kuptoj ndonjëherë.

E di se jeta e jonë së bashku ka pasur ditë të mira dhe jo aq të mira. Sidomos nga ajo kohë kur ti fillove ta praktikosh fenë dhe u përkushtove në fe. E di se tentimet e tua që të më bindësh të i përkushtohem fesë dhe të mbulohem ishin të panumërta me arsyetimin se kjo është e vetmja rrugë drejt zotit. Por, ja që unë nuk munda të dal nga kjo që jam, të dua njerëzit, të dua familjen, të punoj pa u ndalur që nga mosha 18 vjeçare, të mundohem mos të bëj keq dhe të besoj në Zot, po Arben unë besoj në Zot.

Unë prapë pas gjithë kësaj nuk hoqa dorë as nga ti. Pas gjithë këtyre unë prapë të besoja, siç të besova edhe atë ditë kur u nise për “Rugovë” me Erionin. Më gënjeve Arben. Me gënjeve edhe kur më thoshe se një mysliman nuk ikën nga kjo jetë me borxhe e me kredi. Më gënjeve Arben edhe kur më the se unë nuk do të iki për Siri pa iu rehatuar mirë ty dhe Erionin, pa i larë kreditë në bankë, si kredinë tënde ashtu edhe timen. Më mashtrove Arben. Më mashtrove keq. E unë nga sinqeriteti i madh të besova, të besova edhe atëherë kur të thirra sa ishe larguar me Erionin dhe më the se nuk ke shumë bateri. Por, nuk do ta besoja dhe mendoja kurrë se do të marrë një sms nga ty se së bashku me Erionin ke mbërri në Siri. Për një moment e tërë bota ishte mbi kokën time dhe çdo lëvizje më dukej se do të ishte fatale. Nuk doja ta besoja dhe i thirrja vetes të qetësohem se kjo mund të jetë vetëm një shaka nga ti. Një shaka e hidhur. Por, ja që ishte e vërtetë. Dhe nuk mund ta kuptoja siç nuk po mundet ta kuptoj as edhe një njeri i vetëm këtu. Po më fajësojnë se unë nuk kam bërë aq sa duhet të ta ndaloj Erionin, por si ta ndaloj unë kur asnjëherë nuk do ta mendoja se një prind mund ta bëjë këtë kudo në botë e aq më pakë ti. Ti e doje Erionin si gjithë prindërit e tjerë fëmijët e tyre, por asnjëherë nuk do ta arrij ta kuptoj pse u dasht ta merrje edhe Erionin me vete, në luftë, po, po, në luftë!

Athu a do ta arrij ta kuptoj një ditë edhe Erioni këtë, athu a do të arrij të ta fal…

Po e di se ke folur për të shkuar atje muajve të fundit dhe me ke kërkuar që edhe unë të vijë. Më ke folur për jetën e mirë atje, për shtëpinë që do ta kemi, se atje do të jemi më afër zotit. Por, unë tani nuk po e shoh këtë, po shoh tanke, po shoh fëmijë të leckosur, të palarë, po shoh… athu po i sheh edhe ti këto tani Arben!

Nga 7 Korriku janë bërë 7 javë pa e parë Erionin dhe pa e dëgjuar zërin vetëm njëherë për pakë sekonda. Janë këto plotë 7 javë ankth, Arben. Zgjohem në ankth e “flejë” me ankth. Athu si flenë Erioni, Arben. Apo ndoshta ai nuk është fare me ty, se ti je ende në ushtrime ushtarake atje. Me cilën familje shqiptare ndodhet Erioni atje? Kush është ajo nënë që ma ka zënë vendin këto ditë. A mundet ajo të kujdeset më mirë se sa unë për Erionin, Arben? E pastron dikush Erionin atje? A ka ushqim të mjaftueshëm? A kërkon ndonjëherë Erioni të më dëgjojë zërin, apo të kthehet tek unë. Është vetëm 8 vjeç Erioni, Arben, mos më thuaj se jo! Thonë se tragjeditë janë të vështira, e sidomos kur janë fëmijët në pyetje, por kjo qenka edhe më e vështirë se një tragjedi!

Arben, tani e dinë të gjithë siç po e sheh se Erioni gjendet në luftë, pa dëshirën e tij dhe pa lejen time. Po e sheh se po të fajësojnë për këtë dhe shumë prej tyre të mllefosur edhe po i shprehin ndjenjat e tyre me mllef. Assesi s’po arrijnë ta kuptojnë pse?

Arben, kur dëgjojë hoxhallarët sa ishe këtu për luftën atje, për arsyet pse duhet shkuar, për arsyet se pse duhet me e marrë familjen dhe fëmijët, a i ke pyetur ndonjëherë, ku i kanë fëmijët e tyre këta, ku i kanë nipat e mbesat e tyre, në luftë? Nuk e besoj…

Po Arben, jam gati të bëjë gjithçka nëse është e nevojshme, për ta kthyer djalin, vetëm më thuaj?

Por, nëse vetëm pakë, të kujtohen ato ditët tona të mira, nëse vetëm pakë ia don të mirën Erionit, që të ketë një të ardhme normale, t’i kthehet shkollës, shoqërisë, gjyshit e gjyshes, familjes së ngushtë e të gjerë që po jetojnë edhe këta në ankth sikurse unë, kthema djalin Arben!

Në traditën tonë burrëri është edhe pendimi, siç është edhe në fenë islame.

Prandaj, bëhu burrë Arben, kthema Erionin!

E përlotur, por asnjëherë e dorëzuar!

Pranvera