Behrami vendos pas Botërorit

Valon Behrami do të vendos për të ardhmen vetëm pas Botërorit. Mesfushori kosovar për momentin është i fokusuar vetëm tek ‘Brazil 2014’, ku synon të ketë paraqitje pozitive dhe ta ndihmojë Zvicrën t’i arrijë objektivat.

Sport

21/05/2014 11:54

Valon Behrami ka zbuluar se planifikon të vendos për të ardhmen e tij vetëm pas Botërorit, i cili do të mbahet gjatë kësaj vere.

29 vjeçari do të jetë pjesë e kompeticionit që do të mbahet në Brazil dhe është i fokusuar tek ekipi Helvetik, ndërsa do të mendojë për nivelin ekipor vetëm pas 13 korrikut, kur të përfundojë Botërori.

“Ka qenë një sezon i mirë dhe e përfunduam atë në mënyrë të mrekullueshme, duke e fituar Kupën e Italisë”, deklaroi 29 vjeçari për ‘Class TV’.

“Tash është koha e Botërorit, për të cilin po mendoj shumë këtë periudhë. Për mua, do të jetë Botërori i tretë, por i pari si shartues dhe ndihem i rëndësishëm për ekipin. Do të jetë një muaj mjaft i ngjeshur”, shtoi Behrami.

“E ardhmja? Do ta shohim pas Botërorit”, përfundoi ish futbollisti i Veronës, Lazios, West Hamit dhe Fiorentinës, i cili mund të largohet nga Napoli gjatë kësaj vere.