Behrami në vend të Cambiassos

Valon Behrami mund t’i bashkohet Interit gjatë verës. Mesfushori kosovar pëlqehet nga trajneri Walter Mazzarri, ndërsa trajneri i Napolit, Rafael Benitez nuk llogarit më në të. 29 vjeçari konsiderohet si zëvendësim ideal për Esteban Cambiasson.

Sport

18/05/2014 16:08

Valon Behrami nuk pati marrëdhënie të mira me trajnerin e Napolit, Rafael Benitez. Gjithashtu, mesfushori kosovar pati edhe lëndime të kohëpaskohshme sezonin që po përfundon në Itali.

Për këtë, futbollisti mitrovicas pritet të largohet nga San Paolo gjatë verës.

Përfaqësuesi zviceran është më afër se kurrë që t’i bashkohet Interit, pasi Nerazzurri janë në kërkim të një mesfushori me karakteristika teknike dhe fizike, si ato të Behramit.

Trajneri Walter Mazzarri ka punuar me të në Napoli dhe e njeh mjaft mirë, kështu që 29 vjeçari konsiderohet një lojtar ideal për ta zëvendësuar Esteban Cambiasson, i cili nuk mund të luajë më në çdo ndeshje.

Behrami është mjaft luftarak dhe vrapon shumë, gjëra këto që i vlerëson shumë Mazzarri. Ai ka kontratë me Napolin deri në vitin 2017 dhe ky i fundit nuk do ta lë të largohet pa nxjerrë para të mira nga ai.