Behgjet Pacolli thotë se ka kërkuar njohjen e Kosovës edhe nga Rusia

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka thënë se ai ka ndikuar drejtpërdrejt që Kosova të njihet nga Bangladeshi.

Lajme

18/10/2017 23:52

“Kam punuar shumë gjatë, dhe pata rast që me presidentin ta takoj kryeministren e Bangladeshit, e cila, sapo u ulëm – nuk më kishte harruar prej vitit 2012 – më tha: ‘unë, z. Pacolli, ju kam thënë se njohjen do ta bëj, por në një moment të caktuar, dhe ja që ky moment erdhi’”, ka treguar Pacolli.

Ai ka theksuar se njohjet janë shumë të rëndësishme për Kosovën.

“E kam në plan që të rihap dyert me shtetet që na kanë njohur”, ka thënë Pacolli në RTV Dukagjini.

Pacolli ka folur edhe për aplikimin e Kosovës në UNESCO, ndërsa ka treguar se ka kërkuar njohjen edhe nga shteti rus.

“Qeveria nuk ka aplikuar për UNESCO. Jam kujdesur për dosjen e UNESCO’s, i kam dërguar diku 194 nota verbale në dy ditët e para”, ka thënë Pacolli.

“I kam dërguar edhe Rusisë notë verbale, dhe kam shprehur të drejtën tonë legjitime që të votohemi në UNESCO”, ka shtuar ai, përcjell Telegrafi.

“Edhe ato shtete që nuk na kanë njohur, i kam lutur që ta marrin parasysh edhe njohjen e Kosovës, por edhe votimin në UNESCO”, ka thënë Pacolli.