Bëhet një vit që nga arritja e marrëveshjes Kosovë-Serbi

Sot një vit, në mes të shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë është arritur Marrëveshja për Normalizimin e Marrëdhënieve, në kuadër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Brukseli.

Lajme

19/04/2014 11:22

Sot bëhet një vit kur Kosova dhe Serbia me 19 prill, të vitit 2013, arritën marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve mes dy shteteve. Marrëveshja e cila ishte ndërmjetësuar nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton, ishte cilësuar si historike nga faktori ndërkombëtar.

Marrëveshja 14 pikëshe e nënshkruar nga Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Ivica Dacic, ndër të tjera parashihte shpërbërjen e strukturave paralele në veri  të Mitrovicës, krijimin e Asociacionit të komunave më shumicë serbe etj.

Kryeministri Hashim Thaçi e ka quajtur këtë marrëveshje si të mirë për Kosovën, me të cilën, sipas tij, Kosovës do t’i hapen rrugët për anëtarësim në OKB.

Bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, janë duke vazhduar ende ku tani është duke u diskutuar për sistemin e drejtësisë në veri.