Befason Merkel: Gazsjellësi Rrjedha e jugut nuk është i vdekur

Kancelarja gjermane Angela Merkel ftoi të hënën Bullgarinë që të fillojë bisedimet e reja më Rusinë për gazsjellësin Rrjedha e jugut pasi që Moska hoqi dorë nga ky projekt në dobi të drejtimit të ri furnizues përmes Turqisë. 

Bota

15/12/2014 22:09

Bashkimi Evropian, i cili i ka ftohur shumë raportet me Rusinë për arsye të përzierjes së kësaj në konfliktin në Ukrainë, ka paraqitur vërejtje në ndërtimin e gazsjellësit Rrjedha e jugut që është planifikuar të kalojë nëpër Detin e Zi dhe të bartet në BE nëpërmjet Bullgarisë.

BE ka thënë se ky projekt me vlerë 40 miliardë dollarë, në formën si është ofruar paraqet shkelje tëv legjislacionit evropian.

“Duhet të shqyrtojmë të gjitha çështjet juridike të projektit Rrjedha e jugut dhe këtë ta shfrytëzojmë për bisedime me Rusinë”, tha Merkel pas takimit me kryeministrin bullgar Bojko Borisov në Berlin.

Borisov shprehu besimin se vështirësitë mund të zgjidhen dhe që shpreson se Brukseli do të japë aspektin e vet lidhur me këtë çështje.

Presidenti rus, Putin befasoi evropianët para dy javësh kur gjatë vizitës në Turqi shpalli që Rrjedha e jugut është e vdekur, ndërsa përgjegjësinë për këtë ia adresoi BE-së, e cila kishte vërejtje në këtë projekt.

Pos Bullgarisë, edhe Serbia e Hungaria, të cilat e dëshirojnë gazin përmes këtij gazsjellësi, duan që bisedimet për këtë projekt të vazhdojnë.

Fitues i kthesës ruse mbetet Turqia, pasi që Putin paralajmëroi ndërtimin e qendrës së gazit në kufi ndërmjet Turqisë dhe Greqisë.

Rusia plotëson me rreth 30 për qind nevojat evropiane, kurse gjysma e asaj sasie kalon transit përmes Ukrainës.