Befason Beckham: Kjo do të jetë finalja e Botërorit

.

Sport

21/06/2018 17:05

David Beckham beson se Anglia do të rilindë rivalitetin e saj me Argjentinën në finalen e Kupës së Botës 2018, me Harry Kane dhe të tjerët, që do të rezervojnë finalen e 15 korrikut përballë Lionel Messit dhe Albiceleste.

Ish-kapiteni i “Tre Luanëve” ishte ndër vëzhguesit e interesuar, pasi skuadra e Gareth Southgate startoi në Rusi me një fitore dramatike 2-1 ndaj Tunizisë. Argjentina nuk e ka pasur fare mirë në ndeshjen e saj debutuese, teksa barazoi 1-1 me Islandën, ndërsa superstari i Barcelonës, Leo Messi, humbi një penallti.

Sidoqoftë, ka ende një rrugë të gjatë për të përshkuar dhe Beckham, i cili ka shumë histori personale me amerikano-jugorët nga Botërorët e vitit 1998 dhe 2002, beson se dy kundërshtarët e vjetër do të gjejnë forca të mjaftueshme për të rezervuar një përballje në Moskë, më 15 korrik.

Legjenda e Manchester United dhe Real Madridit u tha gazetarëve në një event promovues të ligës më të madhe të futbollit kinez: “Unë besoj se Argjentina do të luajë kundër Anglisë në finale të këtij Botërori. Njëra zgjedhje e imja për finalen është Anglia, por ndoshta jam i njëanshëm dhe i pasionuar për vendin tim”.

Beckham shtoi se një fitore emocionuese ndaj Tunizisë und t’i japë shtysa ekstra kombëtares angleze në pjesën e mbetur të turneut: “Jam shumë i lumtur që e kemi fituar ndeshjen e parë në grup. Anglia është një ekip shumë i ri, me lojtarë që nuk kanë shumë eksperiencë në të tilla kompeticione, ndaj udhëtimi i Kupës së Botës do të bëhet më i vështirë, sepse ka shumë pretendentë të mirë në turne”.

Anglia do të jetë sërish në veprim të dielën, kundër Panamasë, ndërsa Argjentina do të kërkojë të regjistrojë trepikëshin e saj të parë në Rusi, teksa të enjten do të përballet me Kroacinë.