Befasitë e dy muajve të fundit

Nuk ka si të mos cilësohet si një zhvillim shumë i mirë për interesat e Kosovës, i gjithë rrëfimi politik i dy muajve të fundit, që në ato orët e para të pasdites së 14 janarit pati nisë të merr trajtën e përmbysjes së politikës kosovare.

Lajme

23/02/2017 11:14

Aurtor: Blerim Shala
 
Pakkush këndejpari, në këtë politikën kosovare, nuk ka pritë, në parashikimet e fundvitit  (2006-të), që ky vit do të jetë i vështirë për Kosovën, veçmas sa i përket zhvillimeve ndërkombëtare dhe vendore  (kur dihet që ky vit gjithqyesh është vit zgjedhor), si dhe atyre që përkonin me raportet e Kosovës me Serbinë.
Por edhe pesimistët më të mëdhenj, u zunë të befasuar me rrjedhën e ngjarjeve në relacionet midis Kosovës dhe Serbisë, në janarin e këtij viti. Treni i 14 janarit, muri dymetërsh në veri të Mitrovicës, fjalori luftënxitës i lidershipit në Beograd  (sidomos i Presidentit Tomisllav Nikoliq), ushtrimet e lloj-llojshme të forcës policore dhe ushatarake përreth kufirit të Serbisë me Kosovën, të gjitha këto thuajse kondenzuan, në aspektin kohor dhe përmbajtësor, lajmet e këqija që do të duhej të shtriheshin përgjatë një viti të tërë – në atë variantin e supozuar, megjithëse, politika dhe historia shumë më tepër e preferojnë atë progresionin gjeometrik  (të shumëfushimit të problemeve), e jo progresionin matematikor  (të rritjes graduale të tyre).
Nuk ka dyshim, siç po kuptohet gjithnjë e më shumë, që kjo mësymja e Bogradit zyrtar për t’i përmirësuar maksimalisht rrethanat politike dhe të sigurisë në marrëdhëniet e veta me Prishtinën, ishte refleksion i kalkulimeve të autoriteteve më të larta të Serbisë që Administrata e re amerikane e Presidentit Trump, nuk do të ketë vazhdimësi, rreth çështjes së Kosovës, me Administratat amerikane që prej vitit 1989 e tutje  (të Presidentit Bush). Për më shumë, në Beograd llogaritej që ky diskontinuitet do të merr edhe trajtën të gatishmërisë më të madhe për një bashkëpunim me Federatën e Rusisë edhe rreth Kosovës, ndërsa dihet fare mirë se çfarë pozicioni në këtë aspekt mbanë Presidenti rus Putin.
Prej 14 janarit e këndej, apo, prej rrëfimit të njohur për trenin që ishte një lloj i lakmus-testit për Kosovën por edhe për faktorin ndërkombëtar në Kosovë, Beogradi zyrtar, si thuhet, pa prit dhe pa kujtue, ka pësuar një mori goditjesh të cilat në tërësinë e tyre, çojnë në konkludimin që nuk do të ketë ndryshime në Presidencën Trump për Kosovën, por edhe për raportet e SHBA-së me Paktin NATO, gjë që është themeli i partnertetit evro-atlantik, që prej vitit 1949-në e këtej.
Së pari ishte deklarata fare e qartë e James Mattis, Sekretarit të nominuar të mbrojtjes për rolin e NATO-s në Kosovë, fushatën e Paktit NATO në vitin 1999-të dhe perspektivën e transformimit të FSK-së në Ushtri.
Së dyti, Matthew Palmer, zyrtar i State Departmentit, gjatë qëndrimit të tij në Beograd dhe në Prishtinë, ua bëri me dije të gjithë palëve të interesuara që nuk do të ketë ndryshim të politikës amerikane karshi rajonit.
Së treti, megjithëse në parim, kemi të bëjmë me telegrame urimi që janë pjesë e një protokolli të rëndomtë në relacionet në mes të dy shteteve, fakti që Presidenti Trump i dërgoi urimet për përvjetorin e pavarësisë Presidentit Thaçi, me disa fjalë më specifike që shquanin arritjet e Kosovës, u përjetua në Beograd si një tjetër grusht i Washingtonit për Serbinë.
Së katërti, ky konkludim mbizotëroi edhe pas publikimit të fotografisë dhe të lajmit për një takim midis Kadri Veselit, Kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe Presidentit Trump. Në këtë rast, simbolika e kësaj fotografie për rrethanat ballkanike, njëmend është shumë e veçantë.
Së pesti, mbase, ky është momenti më i rëndësishëm në renditjet e këtyre fakteve, Nikki Haley, Ambasadorja e SHBA-së në OKB, theksoi fare qartë që Kosova meriton të jetë shtet anëtar i OKB-së, gjë që është porosia më e mirë e mundshme për Kosovën dhe për relacionet e Kosovës dhe Serbisë në ditët kur këtupari i shënua nëntëvjetori i pavarësisë.
Pra, njlloj siç patëm një kondenzim të rrezikshëm të lajmeve të këqija dhe të rrezikshme për sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë, patën edhe dendësim realisht befasues të mesazheve që mbërritën tek ne dhe në rajon nga SHBA, duke konfirmuar që nuk do të ketë ndryshime në politikën dhe në qasjen amerikane ndaj Kosovë.
Në parim, nuk ka si të mos cilësohet si një zhvillim shumë i mirë për ne, për interesat e Kosovës, i gjithë rrëfimi politik i dy muajve të fundit, që në ato orët e para të pasdites së 14 janarit pati nisë të merr trajtën e përmbysjes së politikës kosovare.
Megjithatë, poaq sa Washingtoni ka ri-dëshmuar përkushtimin për Kosovën, poaq, nëse edhe më shumë, është e qartë që ne vet do të duhej t’i kryenim punët dhe detyrat tona kryesore politike dhe diplomatike./Lajmi.net/