Bebet në Parlament, në Zelandën e Re edhe burrat i marrin fëmijët në seancë

Kur kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern të kthehet në Parlament, pasi u bë liderja e dytë në botë që lind një foshnjë, ndërsa është në detyrë, pas Benazir Butos, e bija do të lejohet të qëndrojë me të gjatë debateve.

Bota

15/07/2018 23:56

Janë disa parlamentet në botë që po përpiqen të bëhen më miqësorë për fëmijët dhe prindërit e tyre dhe Zelanda e Re kryeson. “Mendoj se nuk kemi bërë një punë edhe aq të mirë”, thotë Trevor Mallard, kryetar i parlamentit, që shihet herë pas here teksa mban foshnje të anëtarëve të parlamentit, ndërsa mbikëqyr edhe debatet e nxehta.

E në fakt, Zelanda e Re po përballet me një bum bebesh në Parlament që nga zgjedhjet e shtatorit të kaluar, kur dy deputete laburiste me fëmijë të sapolindur, fituan mandatin, ndërsa vetë kryeministrja dhe një tjetër anëtare e qeverisë deklaruan shtatzënitë e tyre më herët këtë vit.

Shumëkush mund të kujtojë imazhet e deputeteve në Australi apo Kanada, që ushqejnë foshnjat e tyre në Parlament. Shumë legjislatura, përfshirë Dhomën e Komunëve në Britani, nuk i lejojnë bebet brenda dhe kjo përbën një sfidë për ligjvënëset nëna që ushqejnë foshnjet me gji.

Sidoqoftë, më e avancuara mbetet Zelanda e Re, ku edhe deputetët meshkuj lejohen të marrin fëmijët në debate. Atje, deputetët mund të shfrytëzojnë një qendër kujdesi për fëmijët, ndërsa në ambientet e parlamentit ka edhe tryeza për ndërrimin e pelenave dhe lodra për foshnjat.

Kryetari i Parlamentit ka hapur edhe një pishinë për fëmijët në kafenenë e godinës dhe ka urdhëruar ndërtimin e një sheshi lodrash në oborr.