BE zotohet të sigurojë 10 miliardë euro për infrastrukturën e Ballkanit Perëndimor

Komisioni Evropian është gati të akordojë 1 miliard euro nga fondi i paraanëtarësimit për periudhën 2014-2020, kurse do bëjë përpjekje edhe për gjetjen e fondeve private në shumë prej 10 miliardë euro për financimin e projekteve të përbashkëta, si hekurudha  Bullgari-Shqipëri, dy gaz-përçues, etj.

Lajme

08/05/2014 22:15

Ministrat e Bashkimit Evropian janë pro zgjerimit të këtij institucioni ndërkombëtar. Deklaratat janë bërë ditën e sotme gjatë Konferencës ministrore që po zhvillohet në Selanik dhe që ka në fokus zgjerimin e BE-së.

Presidenca greke e BE-së ka dalë me një deklaratë pas takimit mes ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor.

Në këtë deklaratë thuhet se, ministrat e BE-së kanë mbështetur dhe do të angazhohen që vendet e Ballkanit Perëndimor të integrohen në BE.

“Bashkimi Evropian konfirmon angazhimin për perspektivën integruese të vendeve të Ballkanit Perëndimor. BE angazhohet për më shumë përpjekje në drejtim të reformave, veçanërisht për shtetin ligjor, mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut dhe fqinjësinë e mirë”, thuhet më tej në deklaratë.

Zyrtarët e BE-së thanë se Komisioni Evropian është gati që të akordojë një shumë prej 1 miliard eurove nga fondi i paraanëtarësimit për periudhën 2014-2020. Ndërsa do të bëjë përpjekje edhe për gjetjen e fondeve private në shumë prej 10 miliardë eurove për investime në rajonin e Ballkanit.

Qëllimi është për të financuar projektet e përbashkëta, siç janë korridori hekurudhor 10, nga Burgas i Bullgarisë deri në Vlorë e Durrës.

“Projekte të tjera janë gazsjellësi TAP dhe gazsjellësi Adriatiko-Jonian, i cili do të kalojë nëpërmjet Shqipërisë për të mbërritur në Kroaci”, theksohet në deklaratë, transmetojnë mediet shqiptare.